Ja i riu që përfundoi në koma pas arrestimit/ E ëma denoncoi ngjarjen

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas rastit të publikuar në emisionin “Uniko” të gazetarit Spartak Koka nga nëna e 27-vjeçarit Jani Rustemi, e cila tregoi se i biri pas arrestimit nga policia ndodhet në gjendje kome në QSUT, ka reaguar Policia e Tiranës.

Në një njoftim, policia sqaron dinamikën e ngjarjes. Sipas policisë, Rustemi më datë 14 prill, teksa ka qenë i arrestuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka shfaqur shqetësime shëndetësore. Po në të njëjtën ditë, sipas uniformave blu, i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore dhe gjendja e tij është përmirësuar.

Ditën tjetër, më 15 prill, ai është dërguar në Gjykatën e Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë ku i është caktuar “arresti në burg”. Më datë 16 prill, ai është dërguar në burgun 313, por për shkak të mbingarkesës në këtë institucion është rikthyer sërish në Bllokun e Sigurisë së Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Një ditë më vonë, më 17 prill, i riu Rustemi ka shfaqur sërish shqetësime shëndetësore. Po këtë ditë ai është transportuar në spitalin “Nënë Tereza” ku është shtruar në spital. Në njoftimin e saj, policia nuk sqaron se çfarë problemesh shëndetësore ka shfaqur 27-vjeçari Jani Rustemi.

Policia thotë se aktualisht është ngritur një grup hetimor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore që po heton për këtë rast. Kjo pasi nëna e 27-vjeçarit, Pranvera Rustemi, më 30 prill ka bërë kallëzim në komisariatin nr. 3 duke ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj. Nga AMP-ja janë pyetur në cilësinë e personave që mund të tregojnë rrethana të dobishme për hetimin disa policë dhe stafi mjekësor i Bllokut të Sigurisë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Një ditë më parë në emisionin “Uniko” në Klan Plus, u trajtua historia e të riut Jani Rustemi, i cili ndodhet në QSUT në gjendje të rëndë për jetën pasi u arrestua nga policia më 12 prill 2023. I riu u vu në pranga për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete. 5 ditë pas arrestimit ai u dërgua në QSUT ku ndodhet në gendje kome.

Në një intervistë për Uniko, nëna e Jani Rustemit tregoi se policia nuk i ka dhënë asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të të birit. Ajo theksoi se djali nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk e lënë as që të hyjë në spital t’i qëndrojë afër.

Pranvera Rustemi: Jam një nënë me 5 jetimë. Kam problemin e djalit, Jani Rustemi e ka emrin, është kapur më datë 12 prill, në orën 15:30. Pasi u kap, i shkova njëherë në burg. E arrestuan për vjedhje, kishte arrestuar një tapet një palë atlete. Më erdhi policia në darkë bashkë me çunin, dola jashtë, te furgoni i policisë e kisha djalin. Fola, ishte mirë djali atë ditë. Pastaj pas 4 ditëve më mori në telefon, më tha o ma më sill pasaportën se nuk më regjistrojnë këtu. Ja ku e kam pasaportën e djalit. Nuk kam arritur me ia çuar.

Spartak Koka: Çfarë i ndodhi?

Pranvera Rustemaj: Nuk arrita, nuk kam pasur lekë, thashë kur të bëhem me lekë do shkoj do bëj takim për djalin. Pastaj më morën në telefon policët. Më thanë Pranvera Rustemi je? Po i thashë.

Shkoni më thanë se keni djalin sëmurë. Kam shkuar te burgu i policisë.

Spartak Koka: E kishe djalin sëmurë, po nga se?

Pranvera Rustemaj: Nuk ma thanë arsyen nga se.

Spartak Koka: Vuante nga ndonjë gjë? Kishte ndonjë problem shëndetësor?

Pranvera Rustemaj: Jo. Asnjë lloj problemi. Kam vajtur, kam pyetur te spitali i burgjeve. I thashë ndodhet këtu Jani Rustemi, se më morën në telefon (më datë 17 prill). Nuk e gjeta aty, nuk ishte i shtruar. Pastaj pas disa ditëve më erdhi polici, dy civilë këtu në shtëpi. Shko më thanë filan vend. E ke sëmurë, pak me ftohje. Shkuam në spital. Kam vajtur te Nënë Tereza, çuni ishte në reanimacion, ishte shumë keq. Doktori më tha nuk kam shpresa për djalin tënd.

Spartak Koka: Tani që është në spital, e ke parë?

Pranvera Rustemaj: E kam parë, djali është shtrirë. Djalin e kam gjetur në spital, në këtë gjendje. Edhe këtë mezi e mora se nuk më linin policia, e mora fshehurazi. Këtu është në reanimacion dhe doktori tha nuk kemi shpresa, vetëm tek duart e Zotit e keni djalin.

Spartak Koka: Po çfarë i ka ndodhur djalit, çfarë tha doktori?

Pranvera Rustemaj: Doktori tha vetëm që i kanë bërë shumë Metadon.

Spartak Koka: Po pse, djali ishte përdorues i lëndëve narkotike?

Pranvera Rustemaj: Hashash, e dija që pinte.

Spartak Koka: Shumë?

Pranvera Rustemaj: Jo. Ishte për bukuri.

Zjarr Tv Ad