Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësuesit e bizneseve.
Basha tha se do të marrin fund takimet skutave dhe restoranteve sipas tij dhe në të kundërt, çdo zyrtar i lartë, paralajmëron ai, do të duhet të dokumentojë qartësisht çdo takim.
Për kreun e PD, takimet kokë më kokë midis ministrave dhe biznesmenëve nuk janë tjetër vetëm se komplote kundër tregut dhe qytetarëve dhe se kjo është pengesë për zhvillimin.
“Biznesmeni dhe ministri që ulen bashkë, njëri nga të dy do të qërrohet. Ministri dhe biznesmeni që ulen bashkë, ulen për të bërë komplot kundër qytetarit, komplot kundër tregut. Kjo do të marrë fund. Çdo ministër, autoritet i lartë që ulet kokë më kokë me një biznesmen që nuk e lidhin lidhjet familjare, do të duhet ta sqarojë mirë dhe ta dokumentojë qartë takimin.
Në ato takime, ku që ndodhin, në zyrat e qeverisë, në restorante, apo në skutat e qytetit apo në hotelet jashtë shtetit, aty komplotohet për koncesionet korruptive, për skena korruptive që nuk i shërbejnë sipërmarrjes. Cili është çelësi i prosperitetit të shoqërive evropiane? Stabiliteti? Jo. Është nënprodukti! Stabilitet ka pasur Shqipëria në 50 vite me Enver Hoxhën.
Nuk ka rëndësi stabiliteti që mbështetet në një lojë të pistës, pa rregulla, pa shtet ligjor, pa konkurrencë është vdekjeprurës. Kjo është arsyeja që ekonomia është në ngërç, biznesi qahet, pse investitorët i vënë notën zero dhe pse Shqipëria është në këtë gjendje katastrofike ekonomike, nuk ka konkurrencë. Ecën përpara vetëm po të hapi telefonin kryeministri apo ministri. Po nuk pate lidhje me pushtetin je i mbaruar. Politika duhet që sipërmarrjen ta konsideroj një forcë më vete dhe jo subjekt për t’u bërë servil i pushtetit”, theksoi Basha.