Nga Sali Berisha
Të dashur bashkatdhetare dhe bashkatdhetarë të mbledhur sot në një ngjarje të rëndësishme, atë të emërtimit të një rruge në metropolin e SHBA-ve dhe të botës, në Nju Jork, me emrin e Ismail Qemalit, babait të pavarësisë së Shqipërisë.
Burrit të shtetit, të cilit pas Skënderbeut, shqiptarët i detyrohen më shumë se kujtdo tjetër ekzistencën e Shqipërisë së pavarur, por edhe Kosovës së pavarur. Njeriut që në një moment kritik për kombin shqiptar, në një moment kur kombi ynë ndodhej vërtetë para alternativës: “Të jetë, a të mos jetë”, me guximin e flamurit të Skënderbeut, ai ngriti flamurin e pavarësisë në qytetin e Vlorës më 28 nëntor të vitit 1912.
Duke nderuar Ismail Qemalin, ju, miqtë tuaj amerikanë nderojnë historinë e përpjekjeve të mëdha të kombit shqiptar për liri, dinjitet kombëtar dhe pavarësi. Duke nderuar Ismail Qemalin ju nderoni përpjekjet titanike të rilindësve tanë, me të cilën ata projektuan një Shqipëri në perëndim.
Me këtë rast, unë dua të falënderoj nga zemra iniciatorët e kësaj ngjarje, bashkëkryetarët e shoqatës shqiptaro-amerikane, zotërinjtë Naser Nika dhe Dr. Bahri Cekën. Dua të falënderoj gjithashtu, të gjitha shoqatat shqiptaro-amerikane që luajtën, ose mbështetën këtë nismë, dhe bënë të mundur këtë iniciativë të realizohet sot.
Një mirënjohje të thellë për Kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Këshillin Bashkiak, parlamentarë të qytetit, të cilët e mbështetën këtë nismë shumë të rëndësishme.
Të dashur bashkatdhetare dhe bashkatdhetarë, duke përfunduar dhe uruar nga zemra për këtë ngjarje, ju ftoj sot ju dhe të gjithë bashkatdhetarët tanë të vazhdojnë përpjekjen e madhe në mbështetjen e Shqipërisë dhe të Kosovës, pasi kombi shqiptar, e vërteta është, ndodhet në një nga udhëkryqet e tij më të rrezikshme në histori.
Në 8 vitet e fundit, Shqipëria është boshatisur nga shqiptarët sa kurrë ndonjëherë në një kohë të tillë në historinë e saj. Janë larguar nga Shqipëria në 8 vite mbi 1 milionë banorë të saj.
Në këtë kontekst një përpjekje e përgjithshme kombëtare është për të rivendosur vlerat e lirisë në këtë vend për të bërë të mundur që kjo tokë e bekuar të ngjallë shpresa dhe të begatojë shqiptarët, t’i kthejë ata nga kudo që ndodhen për të ndërtuar të ardhmen dhe lumturinë e tyre në Shqipëri.
Edhe njëherë, urimet më të përzemërta. Ju faleminderit!