Ekstradimet nga Dubai, shefi i SPAK ia pason “topin” e përgjegjësisë qeverisë

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Prokuroria e Posaçme e gjeti veten në vështirësi, teksa shpallte në kërkim dhe lokalizonte drejtues të grupeve kriminale, apo porositës të krimeve të ndryshme në vend dhe nuk realizonte dot ekstradimet e tyre nga Dubai. Për shkak të mungesës së marrëveshjeve dhe mosqenia pjesë e konventave ndërkombëtare për ekstradimet, i bën Emiratet e Bashkuara Arabe, një problem me të cilin hasen autoritetet në të gjithë botën dhe që për Shqipërinë u bë i prekshëm më së shumti në 3 vitet e fundit”, raportoi gazetarja Bleona Metushi.

Refuzimin e parë SPAK e mori për ekstradimin e Plaurent Dervishajt në 2020, i cili ka në Gjykatën e Posaçme të hapur dy procese si pjesëmarrës dhe organizator në atentate të ndryshme.

Një vit më vonë, të njëjtin fat pati edhe kërkesa për Florenc Çapjen, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm. Por çfarë mund të bëj Shqipëria për këtë, teksa dy rastet e mësipërme nuk janë të vetmet?

I pyetur nga Televizioni Klan, drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ia pasoi “topin” e përgjegjësisë qeverisë.

Altin Dumani, drejtues i SPAK: Prokuroria e Posaçme ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë katër kërkesa për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë akoma në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe. Ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Unë e kam adresuar këtë problem në raport, ju takon autoriteteve të tjera për ta ndjekur në vijim.

Edhe për juristin Eugen Beçi, çështja është në dorën e qeverisë, por zgjidhja në dorën e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Eugen Beçi, jurist: Siç kërkoi qeveria shqiptare në vitin 2022 të lidhte marrëveshje për sigurinë kundër krimit kibernetik dhe për sigurinë kundër akteve terroriste mund të kërkojë edhe diçka të tillë përsa i përket ekstradimit për të zgjidhur këtë ngërç procedural.

Ndërkohë, aktualisht shanset e ekstradimeve nga Dubai sipas Beçit, janë zero.

Eugen Beçi, jurist: Mekanizmat ligjorë për ekstradimin e tyre për momentin që flasim janë zero. Nuk ka asnjë konventë, nuk ka asnjë marrëveshje dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë konventë ndërkombëtare që mund të zgjidhë këtë situatë.

Televizioni Klan u interesua pranë Ministrisë së Drejtësisë, nëse ka lëvizje konkrete nga kjo e fundit për të iniciuar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk mori një përgjigje, duke e konsideruar çështjen si mjaftë sensitive./ Tv Klan

Zjarr Tv Ad