Vangjush Dako u arrestua ditën e sotme me urdhër të SPAK për shpërdorim detyre, pas një kallëzimi të banorëve të një pallati në Durrës, të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.
Por Dako nuk është kryebashkiaku i parë socialist që përfundon pas hekurave (gjatë ose pas largimit nga detyra).
Në korrik të vitit 2021, me urdhër të SPAK u vu në pranga ish kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me një tender të Bashkisë së Lushnjes.
Një vit më vonë në qershor të vitit 2022, në pranga ra një tjetër ish zyrtar i lartë qendror i socialistëve. Agim Kajmaku i cili kishte drejtuar më herët Bashkinë e Vorës, u arrestua në Itali për trafik të lëndëve narkotike.
Fshehja e një dënimi në Greqi për falsifikim parash në formularin e dekriminalizimit kishte çuar në shkarkimin e Kajmakut nga drejtimi i bashkisë së Vorës. Pasi u zgjodh në krye të bashkisë më 30 qershor 2019 ai u denoncua nga PD për fshehjen e dënimit. Kjo akuzë u vërtetua nga prokuroria e Tiranës e cila mori informacione nga autoritetet greke.
Në Mars të këtij viti prangat u tundën për një tjetër kryebashkiak socialist. Lefter Alla, ish kryetar i bashkisë së Bulqizës, ra në pranga bashkë me 7 persona të tjerë për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro.