“Unë me Albinin komunikoj rregullisht. Kam komunikuar këto ditë, edhe më parë. Me Qeverinë e Kosovës punojmë normalisht.” Kështu shprehet Edi Rama, teksa pyetet për marrëdhënien që ka me homologun Albin Kurti, edhe pas vënies në pikëpyetje të takimit të nesërm.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë të jashtëzakonshme, Edi Rama tha se bashkësia euroatlantike rrezikon t’i mbyllë të gjitha dyert Albin Kurti, pas refuzimit që ai po u bën thirrjeve të tyre për të depërshkallëzuar situatën në veri.
“Unë me Albinin komunikoj rregullisht. Kam komunikuar këto ditë, edhe më parë. Me Qeverinë e Kosovës punojmë normalisht. Nuk kemi të njëjtin opinion dhe pozicion në këtë çështje, por tani ka një kurs përplasje, jo me ne, se bashkësia euroatlantike mund të vendosë që kryeministri i Kosovës të mos pritet më në asnjë derë. Në Shqipëri ai e ka derën të hapur”, u shpreh ai.
Më tej, Edi Rama tha se shpreson që të dy kryeministrat shqiptar të takohen nesër për të folur për ngjarjet në Kosovë, pasi ai do të jetë i gatshëm ta dëgjojë Albin Kurtin dhe të ndërhyjë te ndërkombëtarët nëse ai vërtet ka diçka që nuk mund ta ndajë në publik.
“Ne vetëm shikojmë dhe tmerrohemi nga kjo miopi, diçka që nuk e kuptoj, dhe diçka që unë i kërkova, dhe shpresoj të takohemi nesërm, është që të kemi një diskutim shterues me këto pozicione. Unë jam i hapur, nëse ai ka informacione që nuk i ndan me publikun, dhe i ndan me mua dhe të thotë që këtu ka një rrezik.
Unë jam i gatshëm të kthehem të bashkësia euroatlantike dhe të them këtu ka diçka”, përmbylli Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.