Gentjan Bejtja dyshohet se është shënjeshtra e atentatit në Krujë, por që u ka shpëtuar plumbave dhe kësaj here. Ish-polici i ka shpëtuar edhe më parë atentatit, ku në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka.
Asokohe Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Po ashtu i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë, ku edhe në atë kohë mbeti i dëmtuar.
Bejtja rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale në krime kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë.
Bejtja njihet si miku i ngushtë i Enver Stafukës, personazh i njohur i botës së krimit, i rrëmbyer nga një skuadër “policore” dhe i zhdukur në rrethana të dyshimta në shkurt të vitit 2015.
Por kush është Gentjan Bejtja?
Ai është një emër i njohur për policinë, pasi së bashku me Enver Stafukën, ishin personat që vodhën makinën e përdorur për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Të dy u arrestuan nga policia një ditë pas vrasjes së kryekomisarit. Gjithashtu, ish-polici Bejtja i ka shpëtuar edhe një atentati me minë të telekomanduar në vitin 2016, ndërsa ka edhe precedentë penalë në krimet ndaj pronës.