Ish-zyrtarja e arrestuar Alda Klosi ka kërkuar sërish sot në gjykatën e Tiranës ndryshim të masës së sigurisë. Klosi e cila akuzohet për “pastrim parash” dhe “deklarim të rremë të pasurisë”, kërkoi lirimin nga qelia dhe caktimin e masës “arrest shtëpie”, me argumentin se ka probleme shëndetësore dhe se ka fëmijët në kujdestari.
Më herët ajo deklaroi se ishte e gatshme që t’u përgjigjej hetimeve. Seanca e sotme ka dështuar për shkak se gjyqtarja Vjollca Spahiu ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i kërkesës, pasi pretendon se ka konflikt interesi.
Kujtojmë se ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi po mbahet në paraburgim për akuzat e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë para oficerit gjyqësor, pasi pastruesja që punonte në shtëpinë e saj, Rozeta Dobi, rezultoi se kishte vjedhur një shumë të madhe parash në shtëpinë e saj, që në total shkon në rreth 404 mijë euro.