Preç Zogaj: Bashkimi i PD-së po pengohet nga Berisha, problemin e zgjidh tërheqja e tij

0
400
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Berisha të bëjë një hap pas dhe PD të bashkohet përmes një rithemelimi të ri, me njerëz të pakonsumuar”. Kjo është receta e Preç Zogajt se si Partia Demokratike mund të vijë në pushtet.

Gjatë një intervistë për “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, analisti Zogaj thekson se ka ardhur momenti që Berisha të mendojë për demokratët dhe të tërhiqet.

Berisha flet për riaktivizim të protestave, ndërkohë që ajo është e ndarë në tre fraksione. Çfarë po ndodh?

Ajo që po ndodh në opozitë është dëshpëruese, jo vetëm për anëtarët e PD-së, por edhe për votuesit e saj dhe popullin opozitar. Opozita është fragmentuar kaq shumë dhe është kaq e dobët sa që nuk perceptohet si alternativë. Edhe zgjedhjet e fundit vendore treguan se Berisha me grupin e tij konsumoi edhe premtimin e fitores. Perspektiva është edhe më e keqe se sa ishte. Ka egoizëm dhe axhenda të karrierave personale. Nuk shoh që dikush po e vret mendjen për të gjetur zgjidhje.

A ka më zgjidhje për PD-në?

Po. PD pavarësisht se ka një strategji për ta diabolizuar, për ta nxjerrë vetëm në dritë të keqe, PD i ka bërë shërbime të mëdha Shqipërisë. Mos ta lidhim këtë me individë që kanë devijuar. PD ka vendosur pluralizmin, ka vendosur demokracinë, ka vendosur ekonominë e tregut në Shqipëri, ka vendosur disa standarde që janë sot historia ku ecën Shqipëria. PD nuk e ka përfunduar misionin e saj.

A është dikush që duhet të tërhiqet sot?

Bashkimi i PD-së pengohet nga protagonizmi i Berishës dhe ndonjë tjetri.

Po Basha po bën protagonizëm?

Nga kthimi i tij pritej që partia të përthithte edhe elementë nga Foltorja. Por ka ndodhur që edhe vetë partia është ndarë. Problemin e opozitës e zgjidh tërheqja e Berishës.

Çfarë i inspiron demokratët për të votuar PD-në nëse ikën Berisha?

Inspirimi nuk jepet me shiringë, ai vlen. Demokratët i inspiron një rithemelim i vërtetë i PD-së. Drejtuesit e PD-së edhe po të mos kishin pengesat që kanë në raport me SHBA-në, kanë pasur një lidership që ka përmbyllur ciklin.

A është Basha elita e re?

Basha është provuar. Ka një përvojë politike. Ajo përvojë sa ndihmon në PD, aq edhe shtron pyetje që duhet tu përgjigjet. Unë e mbështes PD-në zyrtare. Nëse më pyesni a fiton PD-ja zyrtare zgjedhjet, do isha naiv nëse do të thosha “po”. Por një bashkim që thith edhe 100-200 mijë të tjerë votues, kjo është e mundur me një rithemelim të ri, të vërtetë. Berisha që ka mbështetjen më të madhe në PD bën një hap mbrapa dhe lejon që partia të bashkohet, duke marrë sadisfaksionin që në ditë të keqe kishte shumë demokratë që e mbështetën. Këtu është momenti që Berisha të mendojë për demokratët se demokratët menduan për të. Duhet një bashkim i ri me një grup drejtuesish të pakonsumuar, me një frymë të re, me një program të ri, me një ligjërim të ri.

Zjarr Tv Ad