Nga: Gëzim Puka
Për të rrëfyer një ngjarje duhet fjala, por kur rrëfimtari nuk e gjen dot atë (we cannot find the words), atëherë ndërhyn gjuha filmike e Ardit Sadikut. Skenaristi dhe regjisori i ri shkodran është takuar në Amerikë me Aleksandër Grudën, protagonistin e njërit prej aksioneve më rrëqethëse të fundkomunizmit në Shqipëri. Arratisja e 18 personave me anijen luftarake përmes liqenit të Shkodrës më 11 shtator 1990, duke marrë peng rojet kufitare, ishte sfida më e madhe që iu bë atij regjimi të egër.
Qysh prej lashtësisë njeriu e ka parë lirinë si vijë horizonti, gjithmonë të tentueshme për t’u mbërritur. Aleksandri i filmit dokumentar e ka të brendashkruar që në emër madhështinë e bëmës. Ai është mekaniku i anijes ushtarake, që ndodhej pak përtej rrasës së tretë në Shirokë. Nismëtari i eksodit të parë, pak kohë para rënies së regjimit komunist. Ka me vete gruan shtatzënë dhe vajzën 5-vjeçare. Breshëritë e plumbave të kalibrit 12.7 shoqërojnë gjithë lundrimin e shkurtër të anijes ditën për diell. Pak pa mbërritur në ujërat e Jugosllavisë, anija pëson avari. Pesëmbëdhjetë minuta i duhen mekanikut, që tashmë është kapiten, për të rindezur motorin e shuar dhe shpresën drejt lirisë. Anija në mes të liqenit goditet nga të gjitha anët.
Njëri prej tyre shpon çelikun e anijes, bën rikoshet tek portreti i diktatorit në kabinë dhe përshkon ballin e vajzës së vogël. Një tragjedi e vërtetë, që ia kalon disa herë tragjedive që mbartin motivin e sakrificës. Anija arrin të arratiset, por me Anisën e vogël të sakrifikuar në bordin e saj.
Ëndrra e lirisë kthehet në mort.
“Erdha nga tmerri në gazep,”- shprehet protagonist diku nga fundi i filmit.
Jehona e ngjarjes
Shumëkush nga ne, që tashmë i kemi pesë dekada mbi shpinë, e kujtojmë atë mjet lundrues ushtarak, që qëndronte diku pas rrasës së tretë. Edhe filmin autori prej kësaj jehone e fillon. Dëshmitar është një lundërtar që shprehet se ai akt, në atë kohë, ishte “një çmenduri”.
Njerëz dhe gazetarë janë mbledhur rreth përkujtimores për të kujtuar atë sakrificë. Autori i filmit nuk na e ka hequr mundësinë e pjesëmarrjes ne, spektatorëve të djeshëm e të sotëm. E vetmja gjë që mungon janë pamje të së kaluarës. E shkuara është në vendin e saj vetëm si histori. Përjashtim nga ky rregull përbën leximi i komunikatës së shtetit komunist, sipas të cilit protagonistët ishin terroristë.
Të gjithë personazhet rrëfejnë nga koha e sotme, kjo është strategjia që do të ndiqet përgjatë gjithë filmit nga regjisori. Ai përdor pauzat për të na përfshirë kujtimet apo kuptimet tona për ngjarjen. Paradoksalisht kemi një “Duel të heshtur” të lexuar mbrapsht. Duke parë filmin nuk mund t’i shpëtoja dot shoqërizimit të mendimit edhe unë. Policin e rrëmbyer e pata njohur në vitin 1995, kur punoja në një fshat kufitar. Ai nuk kishte pranuar të qëndronte në Jugosllavi dhe kishte ngulmuar për t’u kthyer. E meqë njerëzit (por jo kufiri) kishin ndryshuar, ne bënim humor me vendimin e këtij “heroi të heshtur”, për të mos e “tradhtuar” atdheun. Edhe në filmin e Ardit Sadikut, përmendet, por nuk trajtohet ky personazh.
Ndërtimi i filmit
Më shumë se 33 vjet më vonë autori i filmit ka mbledhur disa nga “aktorët” e kësaj tragjedie, për ta rindërtuar tmerrin e asaj dite. Personazhi kryesor fillon të gjejë fjalët pikërisht aty në vendet e ngjarjeve, në lagjen e tij në Shkodër, në Shirokë, në Zogaj, në Krajë. Kineasti kërkon pamjet, aktori kërkon fjalët. Kështu, përmes këtij procedimi, ndërtohet filmi. Një film ku si në një roman, historia dhe skenari krijojnë tension. Skenari rrjedh i fragmentuar për të njëjtën histori që e rrëfejnë disa zëra. Tre janë më kryesorët: Aleksandri, Marjani dhe dëshmitari ish-ushtarak.
Aleksandri e fillon prej “ëndrrës” amerikane të realizuar. I pamposhtur nga stuhitë e jetës. Interpreton plot patos, është optimist dhe energjik prej natyre, por ai ka ndryrë brenda zemrës dhembjen. Punon si portier e recepsionist prej shumë vitesh për një kompani të Donald Trump.
Po si vjen protagonisti tek shikuesi?
Këndvështrimi i ngjarjes nga autori ka synim rigjallërimin e emocionit. Ky është thelbi i inkuadraturave të Ardit Sadikut. Filmi sfondit i jep një fizionomi po aq të fuqishme, sa edhe njeriut. Vlen të përmendet sfondi ndërmendës gri i anijës ushtarake në SHBA, që shkrihet po me ngjyrën gri të flokëve dhe veshjen e personazhit.
Në film pejzazhi është në lëvizje. Inkuadratura që ndërrohen shpesh duke fuqizuar ritmin. Prapakthimi i Aleksandrit vjen me disa detaje, vende, imazhe që zgjojnë kujtesën e tij dhe të të tjerëve. Lëvizja në kohë dhe në hapësirë është shumë e shpejtë, ashtu siç është edhe jeta e njeriut. Inkuadratura dhe rrëfimi filmik vjen skajshmërisht njerëzor, i besueshëm, i sinqertë, por edhe reflektiv. Dokumentari sjell Aleksandrin që rrëfen dhe emocionohet. Në ndonjë rast revoltohen ndaj së kaluarës, që nuk ndryshohet dot. Të gjithë këta koha i ka shndërruar nga njerëz të aksionit, në njerëz meditativë. Janë bërë pak filozofë. Kamera kërkon ta fokusojë këtë pjekuri, që dhembja ka përcjellë ndër vite.
“Does God choose?” (A zgjedh Zoti?), janë fjalë që në njëfarë mënyre godasin jo vetëm në aspektin e përkujtimit të viktimës së pafajshme, por edhe memorien kolektive për të shkuarën. Drita, errësira, ritmi, muzika ia shtojnë vlerën këtij filmi.
Skenari i filmit vetëkrijohet në vendngjarje edhe përmes pjesëmarrjes së dëshmitarëve të tjerë. Janë edhe banorët e përtejkufirit që e kanë jetuar ngjarjen me shumë ankth. Tërë zona ka vajtuar vajzën e vogël, viktimën e vetme të ngjarjes. E gjithë kjo atmosferë vjen nën ritmin ngjethës të muzikës.
Udhëtimi nga Shiroka drejt molit të Skjesë ka shenjuar jetën e personazhit. Nga vuajtja në mort, por me besim të jeta. Filmi, ndër ato të paktat herë ku ka dialog, përpiqet të jetë prekës. I tillë është takimi i Aleksandrit me Brankon, që ka qenë organizatori i funeralit. Aleksandri bashkë me vajzën ka varrosur një copëz vetveteje, por me pjesën e mbijetuar ka ndërtuar një jetë në SHBA. Pikëvështrimi i kameras është pjesa më mbresëlënëse e këtij dokumentari. Filmi ka impresionizëm. Planet janë montuar me ritmin e duhur, duke e zhvendosur personazhin nga periferia në qendër të ngjarjes. Kamera që lëviz duke gjetur detaje të ngushta dhe të gjera. Liqeni i Shkodrës bëhet po aq personazh. I filmuar prej një gryke bunkeri apo dritareje, ai i ngjan një deti. Ujë që të shpie drejt lirisë.
Përmes një tregimi paralel vjen Marjani, rrëfimtari tjetër në Australinë e largët. Është shoku i tij i veprimit, që tani përdor anglishten e mësuar me shumë mund, për ta zëvendësuar gjuhën e shtetit të vet, që nuk e deshi kurrë. Ka mbetur si një personazh me vështrim nga deti. Në kontinentin e largët, ai e ka konsumuar jetën e tij si ka mundur, por krenar për atë që ka bërë. Ligjërata e tij e përvijon kontekstin me pak ironi, sidomos nga ndërhyrjet e miqve australianë që e rrethojnë. Dikush prej tyre shprehet se midis socializmit dhe komunizmit është faza e alkoolizmit. I bllokuar brenda “ëndrrës” australiane personazhi herë e vonon, herë e humbet fjalën. Pikërisht atëherë autori fillon të ligjërojë me imazhe, ndërsa shikuesi plotëson me mendim.
Rrëfimtari i tretë i rëndësishëm flet prej anës tjetër të historisë. Ai ka qenë me shërbim ushtarak asokohe dhe gjendej në krahun e atyre që e gjuanin anijen. Edhe atë jeta e ka bërë më filozof e më njohës të politikës së madhe. “Gorbaçovi e ndërroi historinë! Pse kush unë a?!”- vëren ai. Nuk harron se vetë ka qenë në anën e bregut, domethënë të zjarrit, por ngushëllohet me faktin se ka parë një heroizëm të madh. Një anije që lundron drejt lirisë në luftë me një ushtri. Inkuadratura luan me efektin e kontrastit. Ky personazh vështrohet nga brenda bunkerit. Më pas tregon vendit nga ku 12,7-shi villte zjarr atë ditë, pikërisht në atë vend ku tani kullotnin lopët dhe bletët. Personazhi përhumb në ëndrra ardhmërie, kur Shqipëria do të shndërrohet një azil ideal për të moshuarit nga Gjermania. Ka veç ironi i gjithë pikëvështrimi dhe ligjërimi i këtij narratori.
Kur shkon afër finalës së filmit ka një skenë gazi dhe hareje të Aleksandrit, ndërsa kridhet në detin e kaltër. Mundet edhe të të ndërmendet “Papillon-i” i famshëm i Steve Mcqueen, që ikën nga ishulli-burg në oqean drejt lirisë.
Edhe pse autori e ka konsideruar film dokumentar, kjo nuk na e heq të drejtën për ta parë edhe si një film të mirëfilltë artistik. Nëse nuk do të ishin provat, dëshmitarët dhe faktet për këtë ngjarje, shumëkush këtë histori të madhe emocionuese të kohës, do ta kishte konsideruar vepër artistike, domethënë trillueshmëri, ose më mirë “çmenduri”.
Më vonë nga vendi ynë ikën plot anije të tjera. Shumë viktima që arratiseshin nga diktatura, lufta, varfëria humbën ujërave. Shumë filma u bënë me këtë temë, por brenda kësaj universaleje “Aleksandri” i Ardit Sadikut e ka veçantinë e tij të spikatur.
Akoma pa dalë në kinema, kritika e huaj e ka mirëpritur me vlerësime shumë të larta filmin, duke e parë atë sidomos në rrafshin simbolik, si edhe për mesazhin e lartë njerëzor që përcjell. Së shpejti “Aleksandri” do të jetë edhe në kinematë tona për të na kujtuar një copëz histori, që nuk duhet harruar.