Nga Skënder Minxhozi
Siç pritej, edhe Kukësi ra. Për të dytën herë brenda pesë muajve, madje këtë herë edhe më zhurmshëm, pas një skandali seksual që përfshiu partinë në pushtet. Nuk mjaftoi ajo që shqiptarët panë, nuk mjaftoi as fushata e përditshme e Foltores me inceneratorë, oligarkë (pa emra), akuza për vrasje, abuzime e korrupsion miliardash. Kukësi votoi sikur asgjë të mos kishte ndodhur me Gjicin, ashtu siç e votoi vetë Gjicin në maj. Rezultati është më i thellë se në maj, kur diferenca mes kandidatëve ishte 2000 vota, ndërsa sot prek 5000 votat!
Duket sikur koha ka ngecur në politikën shqiptare, duket sikur gjithçka zhvillohet në një dimension metafizik, ku nuk ndryshon asgje, ku nuk lëviz asnjë gur apo tullë nga vendi. Të njëjtët fitimtarë, të njëjtët humbës, të njëjtët hezitues për të mos hyrë nëpër gara. Tre palë, një rezultat: Rama mbret!
Kush pati iluzione se skandali Gjici do të lëvizte diçka në balancat politike, u gabua rëndë dhe në mënyrë të përsëritur. Dhe ky është një problem parimor që ka sot opozita, jo një fenomen i izoluar vetëm në Kukës. Puna është se rasti Gjici nuk e bëri dot opozitën më të besueshme, ai vetëm i hoqi edhe ca tulla besimit që shqiptarët kanë tek maxhoranca.
Dhe kur opozita nuk arrin dot të përfitojë nga skandalet qeveritare, kur Berisha e Meta nuk arrijnë dot të mbledhin rrugës votat që ngadalë humbet Rama, por kur ato thjesht i shtohen abstenimit, atëhere perspektiva për opozitën mbetet e pandryshuar. Gara zgjedhore është një enë komunikuese, ku votat i le njëra palë për t’i fituar pjesërisht pala tjetër. Ky parim komunikimi dhe spostimi i mbështetjes që partitë gëzojnë në popull, është alfa e rotacioneve të pushtetit. Kur ndërpritet ky proces fiziologjik brenda një sistemi politik, kemi stanjacion dhe përsëritje të të njëjtit rezultat, siç po e shohim këto orë.
Nëse duhej edhe një provë që e djathta aktuale nuk prodhon dot rotacion pushteti, ja ku e keni edhe Kukësin. Merreni e këqyreni mirë si rastin klinik të radhës, për të kuptuar sëmundjet e pashërueshme të opozitës shqiptare. Nëse PS e ka “të pamundur” të humbasë edhe një bashki si e Kukësit në kushtet specifike kur u votua, atëhere është mëse e kotë të vijohet me lidershipin që sot thotë se drejton opozitën.
Berisha, Meta dhe Basha provuan edhe një herë më tepër se me insisitimin e tyre për të qëndruar në zyrat ku janë qepur prej vitesh nëpër karriget e kryetarëve, po prodhojnë një zinxhir të pandërprerë humbjesh. Do të ishte gjysma e të keqes nëse problemi i opozitës së sotme do të ishin vetëm tre persona, sado të fuqishëm që hiqen se janë.
E keqja më e madhe, që po e ushqen drejtpërdrejt idolatrinë politike të treshes së mësipërme është skota e politikanëve të tipit Bardhi, e cila duke lundruar në mënyrë hileqare sa në njërin krah në tjetrin, janë kthyer në hipotekën reale të Berishës e të tjerëve, për të qëndruar sa më gjatë majë malit të plehut. Kjo ushtri e vogël me ose pa pagesë, është garda e fundit e shqytarëve që mbrojnë pushtetin e kalbur të shefave partiakë. Një listë personash që kalkulimet meskine po i kthejnë në faktorin madhor të mbytjes së të gjithë anijes opozitare. Këta janë de facto humbës po aq sa Berisha-Meta-Basha edhe në Kukës, pasi këta mbajnë ende në këmbë kullën gjysëm të rrënuar të kryetarëve historikë.
Opozitën shqiptare po e merr në qafë fosilizimi i kryetarëve dhe skuthllëku i servilave që i rrethojnë. Të tjera humbje si kjo e Kukësit do të afrohen ngadalë në horizont me këtë lidership, përfshirë zgjedhjet e vitit 2025, të cilat janë vetëm çeshtje kohe dhe procedure. Përrallat me vjedhje zgjedhjesh që do të dëgjojmë edhe një herë këto orë, janë vetëm një justifikim meskin dhe i arnuar, të cilin s’ka ku e kafshon më qeni. Janë vajtimi i vetëm që i ka mbetur Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Megjithatë e vërteta është një tjetër. Edhe nëse jeni të paaftë të fitoni vota, por edhe nëse nuk mundeni t’i ruani ato pasi keni fituar besimin e njerëzve, rezultati në fund të ditës është i njëjtë: humbje e turpshme përballë kundërshtarit të nginjur socialist. Cilado qoftë diçitura që do t’i vini vetes, është një diçiturë humbësi. As ‘azili i pleqve’ të Berishës e Metës, as salloni i bukurisë së Lulit nuk meritojnë më të jenë vitrina e opozitës shqiptare. Është koha për të ulur përfundimisht qepenat!/javanews