Drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori ka reaguar në lidhje me fitoren e socialistëve në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë Kukës, ku përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se kjo e fundit tregoi opozitën e vjetur dhe të pafuqishme për të ngjallur shpresë.
Qori thekson se edhe pse korrupsioni i qeverisë po rritet dita ditës, kryeministri Edi Rama mund të fitojë zgjedhjet edhe brenda PD-së, pasi kjo parti nuk ka më fuqi për të ngritur krye.
Sakaq shton se vendi ka nevojë për qytetarët që besojnë në shtyllat e demokracisë dhe luftojnë kundër oligarkisë, dhe se opozitarët duhet të zgjohen nga letargjia dhe pesimizmi politik.
“Fitorja e thellë e PS në Kukës, sidomos pas skandalit Gjici, tregon se opozita e vjetër është tejet e pafuqishme për të ngritur krye dhe ngjallur shpresë. Mes drejtuesve të copave të PD po krijohet bindja disfatiste se, po të dojë, Edi Rama u fiton edhe zgjedhjet brenda partisë. Ndërkaq korrupsioni i qeverisë thellohet dita-ditës.
Vendi dhe koha po thërrasin për një opozitë të re, serioze, parimore dhe me potencial. Të tillë që bazohet në shtyllat e demokracisë, zhvillimit të qëndrueshëm, shtetit social dhe luftës kundër oligarkisë. Që kjo të ndodhë, nevojitet që çdo qytetar i ndershëm të reflektojë thellë dhe të pyesë veten se çfarë mund të bëjë për ta nxjerrë veten dhe vendin nga pusi ku po e zhyt batërdia qeveritare.
Ndaj ftoj çdo qytetar që prej vitesh refuzon zgjedhjen e të keqes më të vogël, por edhe çdo socialist e demokrat që i ka ardhur në majë të hundës keqqeverisja, poshtërimi e gënjeshtra, që të bëhen pjesë e Lëvizjes BASHKË. Një hap i vogël sot është një impuls i fortë për të na zgjuar nga letargjia dhe pesimizmi politik”, ka shkruar ai.