Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një shtetas shqiptar, 35-vjeç, ka dhunuar dhe kërcënuar gruan e tij dhe më pas e ka mbyllur në një garazh.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, mësohet se gruaja 31-vjeçare, identiteti i të cilës nuk është bërë ende i ditur, ka mundur të arratiset nga garazhi ku po mbahej e mbyllur, dhe ka bërë denoncimin ndaj bashkëshortit me të cilin ishte në proces divorci.
Ajo ka rrëfyer para policisë se burri e kishte marrë me forcë mëngjesin e djeshëm (21 tetor) nga makina e një prej kolegëve të saj, ku së bashku me djali e saj 9-vjeçar, ishte nisur për në punë.
Pas një debati të ashpër, burri mësohet se e ka dërguar atë në një shtëpi të pabanuar në zonën e via Libertà, në Maddaloni, ku pasi e rrahu dhe e kërcënoi me vdekje, e mbylli në garazh, duke u larguar me djalin e saj dhe duke e paralajmëruar se do të kthehej për ta vrarë.
Vetëm gjatë natës, 31-vjeçarja ka arritur të arratiset nga “burgu i saj” duke thyer një dritare dhe duke u vetëplagosur. Falë një kalimtari, ajo më pas ka arritur të lajmërojë policinë.
E reja shqiptare ka mundur të bashkohet me të birin dhe të strehohet në një qendër në ndihmë të grave të dhunuara, ndërsa bashkëshorti i saj, 35-vjeçari shqiptar, është ende në kërkim për dhunë në familje dhe rrëmbim.