31-vjeçarja shqiptare që bashkëshorti tentoi ta mbyste dy ditë më parë në Itali, ka ndërruar jetë në spital.
Mediat italiane bëjnë me dije se Etleva Bodi, një amvise me origjinë shqiptare, por banuese prej kohësh në qytetin e Ligurisë, vdiq mbrëmjen e së dielës së 29 tetorit.
Ajo u mbyt nga bashkëshorti i saj, Selami Bodi, një punëtor ndërtimi 41-vjeçar shqiptar, në dhomën e tyre të gjumit, në lagjen qendrore Villapiana.
Çifti ka katër fëmijë të vegjël, të gjithë të mitur, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç.
Etleva po luftonte mes jetës dhe vdekjes në një shtrat spitali në San Paolo në Savona, në koma për rreth 48 orë. Të dielën në mbrëmje ajo u deklarua e vdekur.
Si ndodhi ngjarja?
Natën mes të premtes dhe të shtunës, burri dhe gruaja kishin debatuar. Gruaja ishte mbyllur në dhomën e gjumit dhe kishte marrë në telefon, nuk dihet kë.
I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën e saj dhe i vuri duart në qafë duke e mbytur.
Ai e lëshoi vetëm kur ajo nuk merrte më frymë. Pastaj ai vetë thirri për ndihmë. Pas 80 minutash rraskapitëse reanimimi dhe 10 injeksione adrenaline, mjekët kishin arritur të riaktivizonin funksionet e saj jetësore. Por të dielën në mbrëmje në spital, shpresat pushuan.