Ka përfunduar mbledhja e kryedemokratit Lulzim Basha me 7 kongresmenët amerikanë, takim i cili u zhvillua në selinë e PD-së dhe zgjati për rreth 90 minuta.
Në takimin me kongresmenët, mësohet se ishin dhe aleatët e PD-së, Fatmir Mediu dhe Vangjel Dule.
Në fokus të takimit mësohet se është situata politike në vend, ndërkohë kongresmenët i ka shoqëruar në takim dhe ambasadori amerikan Donald Lu.
7 kongresmenët amerikan të kryesuar nga kryetari i komisionit të çështjeve ligjore, Bob Goodlatte kanë mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë, ku kanë zhvilluar takime me krerë të lartë të shtetit dhe politikës.
Më herët ata u takuan me presidentin e Republikës Bujar Nishani, takimi i cili zgjati për rreth 75 minuta.
Nga takimi me Nishanin, mësohet se kongresmenët kanë kërkuar informacion në lidhje me zgjedhjet, reformën në drejtësi, situatën e rëndë të kanabisit, krimin e organizuar, terrorizmin dhe veçanërisht për buxhetin e mbrojtjes. Gjatë bashkëbisedimit presidenti Nishani ka treguar edhe situatën në vend dhe atë se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet lokale e deri më sot.