Bashkia e Tiranës ka vendosur të prokurojë me një fond limit 13 milionë euro shërbimin e pastrimit për tre zona të kryeqytetit.
Procedurat e hapura njëra pas tjetrës nuk është shumë vështirë t’i vëresh në kushtet kur ka një ndalim total të tenderëve sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Të vetmet që bëjnë përjashtim janë blerjet e spitaleve dhe së fundmi edhe tenderët e Bashkisë së Tiranës.
Janë tre lote për shërbimin e pastrimit që do të presin oferta nga subjektet e interesuara deri në 4 shtator 2017.
Fondi sipas zonave
Në dokumentet e njoftimit të procedurës thuhet se kontrata që do të nënshkruhet për secilën zonë do të shtrihet nga viti 2017 deri në vitin 2019.
Konkretisht për zonën Tirana 4 është vendosur një fond limit prej 744 milionë lekëve dhe për secilin vit është menduar një ndarje prej 248 milionë lekësh.
Për zonën Tirana 3 është vendosur një fond limit prej 494 milionë lekësh dhe që ndarë në tre vite rezulton në nivelin 164.8 milionë lekë.
Për zonën Tirana 2 fondi limit është llogaritur në 537 milionë lekë që ndarë në tre vite rezulton me 179 milionë lekë për çdo vit.
Totali i fondit për këto procedura llogaritet rreth 1.8 miliardë lekë apo 13 milionë euro (kursi 1 euro=136 lekë)
Kushtet Zona 2
Autoriteti kontraktues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 1026 kontejnerëve të ndara në 494 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve) me volum 1.7 m3, brenda zonës së kontraktuar.
Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 915 zbrazje kontejnerësh/ditë, për zonën urbane 111 zbrazje 3 here/javë (156 ditë në vit) për zonën rurale (Farkë Rurale, Bërzhidë, Krrabë, Petrelë )
Kushtet Zona 3
Autoriteti kontraktues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 950 kontejnerëve të ndara në 479 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve) me volum 1.7 m3, brenda zonës së kontraktuar.
Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 796 zbrazje kontejnerësh/ditë, për zonën urbane 110 zbrazje 3 here/javë(156 ditë në vit) për zonën rurale (Vaqarr, Ndroq, Pezë). 44 zbrazje 2 here/javë(104 ditë në vit) për zonën rurale (Baldushk).
Kushtet Zona 4
Autoriteti kontraktues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 1373 kontejnerëve të ndara në 548 PGM (pika të grumbullimit të mbetjeve) me volum 1.7 m3, brenda zonës së kontraktuar.
Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 1373 zbrazje kontejnerësh/ditë.
Kjo zonë përfshin pjesën e Kasharit në Tiranë.
Marrë nga Monitor.al