Ndërkohë që në Ministrinë e Energjetikës po zhvillohet seanca e interpelancës “në web” mes kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjetikës dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe naftëtarëve, po zhvillohen protesta jashtë këtij dikasteri.
Naftëtarëve të Fierit dhe Ballshit nuk mjaftohen me gadishmërinë e kryeministrit për Interpelancë, por do vazhdojnë të protestojnë derisa t’i plotësohen kërkesat e tyre.
Ata kujtojnë premtimet e një viti më parë të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, ndërsa kërkojnë pagat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore.
“Më shumë na vjen neve turp që dalim këtu për bukën e gojës sesa këta politikanë që kemi zgjedhur e s’kanë turp. Kemi protestuar edhe në kohën e Sali Berishës, e Sali bollëkut që thonim. Atë kohë na thonin se s’punonim e merrnim paratë, por sot po punojmë e asnjë lekë s’po marrim. Pronarët na ikin në drejtim të paditur. Zoti kryeministër na thoshte se fajin e kish Saliu, ndërsa sot e paska sistemi! Kush do ta gjejë fajin se asnjë s’po e mbaka përsipër. Ne këtu do e vazhdojmë protestën deri në fund”, thotë një nga naftëtarët.