Reshjet e dëborës që përfshinë juglindjen e vendit mbrëmjen e së enjtes kanë ndalur.
Me intensitet deri mesatar kanë qenë më të dendura në lartësitë mbi 1200 m. Në fshatin turistik të Dardhas dëbora shkoi deri në 7 cm.
Është punuar për pastrim dhe kriposje edhe në akset nacionale që u përfshinë nga reshjet, borëpastrueset kanë qenë në terren në akset Korçë-Pogradec, Pogradec-Qafëthanë dhe në aksin Korçë-Erseke në Qafën e Qarrit.
Në segmentin rrugor Korçë – Panarit trashësia e dëborës ka shkuar deri në 4 cm, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët.
Nuk ka probleme me qarkullimin e automjeteve por drejtuesit duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe në disa zona pjesë të këtij aksi rekomandohen zinxhirët.
Gjithashtu në rrugën Lekas – Voskopojë dëbora ka shkuar në 3 cm, edhe në këtë segment nuk ka probleme.
Të gjitha akset nacionale dhe rrugët dytësore janë të kalueshme dhe pa probleme ndërkohë temperaturat priten të ngrihen në mesditë.