Prokuroria e Elbasanit mësohet se ka kërkuar masën e arrestit në burg për Sokol Mjacajn dhe për 12 zyrtarët e IEVP Peqin, të ndaluar pas ngjarjes së rëndë më 15 dhjetor, ku Mjacaj vrau me armë zjarri në qelinë e tij të burgosurin, Arben Lleshi dhe plagosi Indrit Shaqjan.
Bëhet me dije se sot (17 dhjetor) është dorëzuar kërkesa në gjykatën e Elbasanit për vleftësimin e ndalimeve dhe caktimin e masës së sigurisë.
Kujtojmë se pas ngjarjes së rëndë në burgun e sigurisë së lartë, u ngritën dyshime edhe mbi zinxhirin komandues të këtij institucioni, dhe u ndaluan 12 persona.
Mes të ndaluarve janë drejtori i burgut të Peqinit,Kamber Hoxha dhe 3 shefa policie në këtë IEVP, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Të ndaluarit:
Kamber Hoxha, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
Qani Muça, 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
Nikolin Gjonpalaj, 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
Vilson Shima, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
Arben Dulellari, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
Fatos Pire, 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
Ilir Balla, 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
Florenc Mile, 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
Genci Muça, 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
Indrit Dubali, 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.
Klement Haka, 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
Erjon Çela, 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
Si ndodhi ngjarja
Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ka qëlluar nga dritarja e qelisë për vdekje Arben Leshin, i dënuar gjithashtu me burgim përjetë për vrasjen e shtetasit Agim Hoxha në vitin 2012 në Britaninë e Madhe. I plagosur ka mbetur edhe i burgosuri tjetër, shtetasi Indrit Shaqja.
28-vjeçari i ka shkuar viktimës tek dritarja e qelisë së tij, tek zona ku dalin për ajrim.
Si pasojë e plagëve të marra Arben Lleshi ka humbur jetën, ndërsa mbetet mister se si Sokol Mjacaj kishte siguruar armën brenda burgut të sigurisë së lartë.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte urdhëruar vendosjen e tij në regjimin 41 bis.
Dëshmia e Sokol Mjacajt
Para hetuesve, pas vrasjes në qelinë e burgut të Arben Lleshit mesditën e së premtes (15 Dhjetor) Sokol Mjacaj ka deklaruar se “armën e kam siguruar më shumë se një muaj e gjysmë më parë”,
I burgosuri me dënim përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë ka deklaruar se Arben Lleshin e ka vrarë pasi kishte sherr me të sepse ky i fundit nuk e ka pranuar në sektor.