Azilkërkuesi shqiptar, Leonard Farruku, dyshohet se i dha fund jetën në “anijen hotel” ku po qëndronte.
27-vjeçari, i cili humbi jetën në Bibby Stockholm, pagoi 4000 euro për të kaluar Kanalin me gomone verën e kaluar dhe sipas motrës së tij ai trajtohej si kafshë.
The Telegraph, raporton se azilkërkuesi ishte ankuar për shëndetin e tij mendor një ditë para se të vdiste dhe, sipas migrantëve të tjerë që jetonin në anijen hotel, ishin dëgjuar të bërtitura dhe ishte përplasur në murin e kabinës së tij.
Azilkërkuesi me të cilin ndante kabinën e tij u largua për të shkuar në qendrën e IT-së në anije dhe stafi gjeti trupin e pajetë të Farruk menjëherë më pas.
Motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha se ishte e tronditur nga lajmi, të cilin e morën vesh nga të afërmit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar të kontaktuar nga policia që po hetonte vdekjen.
“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se kushtet në atë varkë nuk ishin të këqija, por trajtoheshin nga rojet si kafshë. Vëllai im, kur mbërriti në MB, i dha Home Office adresën e të afërmve tanë në Londër. Ata u kontaktuan nga policia e cila u tregoi se çfarë kishte ndodhur”, tha ajo.
Më pas shtoi: “Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq.”
Mendohet se aktualisht janë 300 azilkërkues të vendosur në anije. Ai ka një kapacitet për deri në 506 migrantë, ku në një kabinë qëndrojnë deri në 4 persona.
Bibby Stockholm është përballur me probleme që kur u ankorua në Portland në korrik, përfshirë një sërë çështjesh të shëndetit dhe sigurisë.
Ai duhej të evakuohej në verë pas zbulimit të baktereve potencialisht vdekjeprurëse të legjionelës në furnizimin me ujë.
Vdekja e të riut shqiptar vjen pasi një 23-vjeçar u përpoq të vriste veten në një parking hoteli në Essex muajin e kaluar, pasi kishte dëgjuar se do të transferohej në Bibby Stokholm.
Farruku mbërriti në Britaninë e Madhe me gomone gushtin e kaluar si pjesë e një numri prej më shumë se 12.000 shqiptarësh që kanë hyrë përmes Kanalit, një e katërta e të gjitha kalimeve vitin e kaluar.
I lindur në fshatin Manez, pranë qytetit të Durrësit, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, motra e tij tha se ai erdhi në Mbretërinë e Bashkuar në kërkim të punës dhe për të siguruar leje qëndrimi të pacaktuar.
“Ai erdhi në MB me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Jola Dushku.
Ajo u shpreh se prindërit e tyre kanë ndërruar jetë dhe largimi i tyre nga jeta e ndryshoi vëllain e saj.
“Leonardi u bë një person tjetër kur nëna jonë vdiq. Vdekja e saj e ndryshoi atë”, tha ajo.
Jola Dushku u shpreh se ai ishte i vendosur të merrte leje të pacaktuar për të qëndruar në Britani, kështu që donte të “përmbushte të gjitha kërkesat e Home Office”.
“Ai tha: “Po”, kur i thanë atij se akomodimi i tij i ri do të ishte në atë varkë ku ai kaloi ditët e fundit të jetës së tij”, tha ajo.
“Unë do të gjej paqen vetëm kur të gjej të vërtetën e asaj që ndodhi atë natë në Bibby Stokholm”, shtoi e motra e viktimës.
“Anija hotel” është një nga tre vendet kryesore të akomodimit për migrantët për të reduktuar koston prej 8 milionë paund në ditë për strehimin e azilkërkuesve në hotele.
Dy të tjerat janë baza e papërdorur e RAF në Wethersfield në Essex dhe RAF Scampton në Lincolnshire, e cila ende nuk ka për të hapur.
Një zëdhënës i Home Office tha: “Ky ishte një incident tragjik. Mirëqenia e të gjithë atyre në kujdesin tonë është e një rëndësie të madhe dhe ne e marrim përgjegjësinë tonë për mirëqenien e tyre jashtëzakonisht seriozisht. Ngjarja do të hetohet nga policia dhe mjekësia ligjore. Është e drejtë që të vërtetohen faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë vdekje.”