Ka zgjatur 1 orë e 20 minuta protesta e ish-kryeministrit Sali Berisha jashtë kryesisë së Kuvendit.
Berisha ka shpërndarë tubuesit e mbledhur para godinës dhe është larguar nga Kryesia përpara se Këshilli i Mandatave të japë vendimin për arrestimin e tij.
“E mbyllim sot fitimtar këtë takim historik, të betuar për të mos u ndal më deri ditën e fitores ndaj këtij regjimi. Të betuar se do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile, nuk ka forcë që na ndan më. Ne jemi dhe mbetemi luftëtarë të lirisë, gjer ditën e fitores së plotë të përmbysjes së këtij regjimi që po shfaros shqiptarët”, tha ai.
Ndërkohë në orën 12:00, Këshilli i Mandateve nisi mbledhjen për diskutimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës, që do t’i hapte rrugë arrestimit të tij.
Berisha konfirmoi para nisjes së mbledhjes se nuk do të merrte pjesë, duke u përfaqësuar nga avokatët. Në protestë po ashtu ishte e pranishme edhe vajza e ish-kryeministrit, Argita Malltezi.