Ditën e shtunë në orën 12:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Rithemelimit. Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të Kryesisë, të thirrur nga Sali Berisha, të cilit po sot (21 dhjetor) iu hoq imuniteti.
Burime për media bëjnë të ditur se sa i përket riorganizimit të partisë, u vendos krijimi i 4 rajoneve, të cilët do të drejtohet nga 4 koordinatorë.
Ndërkohë do të ftohen në organizim edhe Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë.
Berisha në fjalën e tij para anëtarëve të Kryesisë tha se “Na duhet një ripërshtatje e shpejtë. Duhet ta konceptojmë qëndresën tonë si një betejë të atyre që guxojnë”
Berisha teksa iu referua vendimit te sotem te Kuvendit, qe i hoqi mandatin tha se reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë.
“Reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozitë e vërtetë. Edi Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Në tërësi, është vështirë të ndash diktatorin nga hajduti dhe hajdutin nga diktatori, sepse diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndihet i lirë të vjedhë, të shpërdorojë, të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve, por problemi më themelor është sepse ai ka arritur t’u konfiskojë votën e lirë shqiptarëve dhe pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë pasivisht shpresën te qytetarët shqiptarë”, tha nder te tjera Berisha.