GJKKO ka marrë vendimin për mosfillimin e një procedimi penal ndaj kryeparlamentares, Lindita Nikolla, pas kallëzimit të bërë nga deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi.
Sipas Bardhit, Nikolla ka shpërdoruar detyrën pasi kjo e fundit ka lejuar futjen në sallën e parlamentit pa pasur asnjë situatë të punonjësve të gardës që kanë qenë të armatosur.
Fillimisht ishte SPAK ai që rrëzoi kallëzimin e Bardhit, ndërsa ky i fundit e ankimoi më pas në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, por edhe kjo e fundit ka lënë fuqi vendimin e Prokurorisë së Posaçme.
NJOFTIM PËR MEDIAT
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit penal të shtetasit Gazmend Bardhi, me cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të bërë ndaj shtetases Lindita Nikolli me cilësinë e Kryetares se Kuvendit të Shqipërisë, ka regjistruar kallëzimin penale Nr. 245 të vitit 2023, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Pas vlerësimit të kallëzimit penal të sipërcituar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 22.11.2023 vendosi: “1. Mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin penal Nr. 245 të vitit 2023. 2. Vendimi t’u njoftohet të interesuarve. 3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i vendimit.”.
Vendimi i mësipërm është ankimuar në Gjykatë nga kallëzuesi më datë 11.12.2023. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore në respektim të nenit 291 pika 3 të K.Pr.Penale. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 75/a, 112, 290 dhe 291 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenin 248 të Kodit Penal, me vendimin Nr. 496, datë 22.12.2023, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë “Për mosfillimin e procedimit penal që i përket kallëzimit Nr. 245 datë 08.11.2023”, datë 22.11.2023.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen ankuesit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 22.12.2023
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar