Ministria e Bujqësisë po kërkon të rikthejë besimin e konsumatorëve tek prodhimet bio. Përmes një projektligji synohet zgjerimi i sipërfaqeve organike dhe ashpërsimi i masave ndëshkuese për ata që mashtrojnë me etiketat.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur disa ndryshime tek prodhimet organike apo që njihen ndryshe si “bio”.
Në një draft të hedhur për konsultim publik, argumentohet se ligji ekzistues ka mangësi që lidhen me kontrollin e këtyre produkteve, çka bërë që të humbasë edhe besimi i konsumatorëve. Për këtë arsye ministria ka parashikuar ti kushtojë një rëndësi të veçantë bujqësisë organike, madje duke e mbështetur edhe financiarisht.
Qëllimi është inkurajimi për shtimin e sipërfaqeve me prodhime bio, në kushtet kur kjo hapësirë në vendin tonë zë më pak se 1% të sipërfaqes bujqësore. Për ato produkte që do të tregtohen në vend në etiketë do të duhet të përfshihet edhe logoja kombëtare, ashtu sikundër ajo e Bashkimit Europian për produktet e importuara dhe të verifikuara për certifikimin bio.
Ndërsa për prodhimet që do të tregtohen në BE, kriteret janë ato të përcaktuara nga Brukseli. Ata që kërkojnë të prodhojnë bio duhet të regjistrohen në “e-Albania”. Për ata që mashtrojnë me etiketimet si produkt organik, janë parashikuar gjoba nga 300 në 500 mijë lekë. Por edhe të gjitha bizneset që tregtojnë produkte që konsumojnë energji elektrike (soba, furra, dushe, kondicioner, tharëse, lavatriçe, kompjuterë apo pajisje të tjera të thjeshta), duhet tu vendosin etiketa mbi to, ku të jetë i detajuar konsumi i energjisë.
Më 16 nëntor në një projektligj të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thuhet se kjo nismë ndërmerret në funksion të rritjes së eficiencës së energjisë, me qëllim reduktimin e konsumit, por edhe për ti dhënë mundësi qytetarëve të informohen mbi produktin që blejnë.
“Etiketimi i energjisë është një shtytës kryesor për të ndihmuar konsumatorët të zgjedhin produkte që janë më shumë eficiente në konsumin e energjisë si dhe inkurajon prodhuesit të nxisin inovacionin duke përdorur teknologji më eficiente në energji. Përveç informacionit në lidhje me konsumin e energjisë së produktit, etiketat mund të ofrojnë gjithashtu të dhëna specifike për veçori të tjera përkatëse të përdorimit, të tilla si emetimet e zhurmës së produktit ose konsumin e ujit” thuhet në relacion.
Etiketë do të vendoset edhe për produktet e reja që importohen. Në etiketë duhet të jepet informacion mbi eficiencën e energjisë, konsumin e energjisë dhe konsumin e burimeve të tjera gjatë përdorimit. Ky ligj nuk do të zbatohet vetëm për përdorura, përveç rasteve kur importohen që duhet të zbatojnë këto detyrime.