“Berisha nuk është mbi ligjin, as nën të, por…”, ironia e Gjekmarkajt: Pas 10 viteve pushtet socialist me skandale, opozita qenka e keqja

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga: Agron Gjekmarkaj

Në vitin 1993 arrestohej lideri i opozitës Fatos Nano! Shumë kush me zell militant gëzohej. Ishte një ditë e trishtë për Shqipërinë e cila ditë pas ditë mblodhi zemërim për të shpërthyer në anarkinë e vitit 1997, vit ku çdo ëndërr u plagos për vdekje, pas zgjedhjeve të vrara të Majit 1996. Padyshim bëj pjesë tek ata që e fajësojnë pushtetin e asaj kohe dhe kryetarin e saj Sali Berisha për politikat e ndjekura, mungesën e liberalizmit dhe zhgënjimet e shkaktuara. Opozita socialiste e atyre viteve ishte e madhe dhe e fortë përtej goditjeve që mori.

Ky fakt ishte një garanci për vendin dhe aspiratat demokratike. Asokohe kishte shumë më tepër idealizëm, pasion pozitiv e negativ, debat, madje edhe dhunë të dukshme, ideologji me bollëk, sesa sot, më shumë besim tek partitë e tek lidershipi. Deri diku edhe më tepri tribale që na çoi tek thyerjet e mëdha të vitit 1997-1998. PD kaloi në opozitë ndonëse e plagosur ndihej ende shumë e fortë dhe energjike. Përsëri ajo shihej si ekuilibriste ndaj revanshit socialist. Mbështetësit e saj besonin se ishin viktima të një revolucioni komunist, element të të cilit ai viti shfaqi por nuk ishin ata motori i tij. Dialektika vazhdon me alternimet e pushtetit me një farë emancipimi të ndryshëm të forcave politike.

Sot përsëri pas 30 vjetësh nga arrestimi i parë, faktori kryesor opozitar Sali Berisha, de facto lideri i saj, arrestohet megjithëse nuk paraqiste asnjë rrezik për askënd nëse hetohej në liri. E përsëris, Sali Berisha nuk është mbi ligjin dhe as nën të. Ai është një person në hetim dhe për të, si për këdo tjetër, vlen prezumimi i pafajësisë. Atij po i bëhet më parë gjyq mediatik. Sali Berisha mund të braktiset, të mos votohet, të kritikohet, të gjykohet mbi parime nese duhet, por jo të linçohet. Nëse një proces i drejtë e dëshmon atë fajtor, ai dhe ne duhet të pranojmë verdiktin e drejtësisë. Por secili prej nesh ka detyrim etik të kërkojë një drejtësi të ftohtë, jo emocionale, jo pasionale, jo hakmarrëse, jo politike, sepse nese ajo (drejtesia) shfaq keto nuanca, ajo nuk është më e tillë.

Procedura që u ndoq për Sali Berishën ishte në shkelje të nenit 73 të Kushtetutës. Më pas u kërkua hapja rrugë nga Kuvendi e ndëshkimit të tij për mos zbatim të kësaj paligjshmerie, e cila e zhvesh(i) deputetin nga garancitë kushtetuese. Pra, Sali Berisha po trajtohet si një individ inferior ndaj ligjit dhe kjo është një kembanë alarmi. Në trupin gjykues ndaj tij, një prej gjyqtarëve kishte konflikt të hapur interesi. Avokatët që kishin këtë gjykatë ishin zgjedhje provokuese të gjithë militantë të majtë. Izolimi i tij e shton edhe më amullinë e Opozitës. Me apo pa dashje, kjo është një ndihmë për pushtetin e Edi Ramës. Për gati tre vjet, Opozita është në një agresion të pazakontë! Lufta më e madhe, me një ashpërsi asgjësuese, e ka bërë brenda vetes. Sa më shumë ta themi, aq kemi shpresë të vetëshërohemi.

Në një kontekst rrethanash që e bënin gjithnjë e më të madhe flakën brenda saj, ku dorë kishte, e ka dhe qeveria, po aq faktorë të tjerë dogjën kredibilitetin tonë dhe shpresat për ndryshim. Asnjëri prej nesh në betejën e brendshme “vllavrasëse” nuk u tregua shënjtor, as i arsyeshëm e racional. Dukej sikur ishim në një provim etik para se majtës, ku secilit i thuhej, “ti je ndryshe, nuk je si ata”. Presumimi ka arritur edhe të tillë kulme shqiptarë të “eperm”, shqiptarë “inferior”, shqiptarë “gjykatës” e shqiptarë “të gjykuar”! E pra, Opozita meritoka përçmim e ndëshkim. Kështu u bëftë!! Secili prej nesh nga deputetët e PD-së, është kalimtar me cene, mbase më shumë e virtyt më pak. Pas 10 viteve pushtet socialist, me një cikël skandalesh që nuk kanë të sosur e keqja qenkesh, Opozita e cila është shumë afër zhbërjes. Nëse ajo bie, siç shumë kush deshiron, bashkë me të rrezohet edhe mekanizmi mbrojtës i shoqërisë në raport me një Qeveri të gjithëpushtetshme. Nuk është e thënë që jemi ne përfaqësuesit më të dënuar të opozitarizmit! Mbase jemi më të keqinjët, por Opozita është institucion themelor i demokracisë, shprehje patetike kjo e shumë dëgjuar por e vërtetë e thjeshtë. Koha mund të na denojë si të paaftë, si të korruptuar, mendoni ç’të doni, por shpejtoni për veten tuaj. Nëse shqiptarët nuk duan ta ndihmojnë këtë Opozitë të rimëkëmbet, të ringrihet, duhet të vrapojnë ta ribëjnë sa më parë Opozitën që Shqipëria duhet të ketë.

Pa të është e zhveshur, e vetmuar, e kërcënuar shumë pranë humbjes të atyre vlerave që ka fituar në 34 vite. Sot dikush gezohet që Sali Berisha izolohet, një politikan i cili ka përjetuar majat e suksesit dhe honet e rënies, emri i të cilit lidhet me themelimin e pluralizmit, Shqipërinë në Nato dhe pa viza në avancim drejt integrimit, në mos për të tjera dhe për rrugën e Kombit, por edhe i shpallur “non grata” nga SHBA-të. Kjo e fundit secilit prej nesh në Opozitë ja ka bërë më të vështirë qëndrimin, sjelljen, komunikimin politik e publik. Falë kësaj ngjarjeje, PD humbi busullën dhe ju humb horizonti. Shumë shqiptarë e mbështetën dhe votuan Sali Berishën edhe pse këtë fakt e dinin dhe pranonin me keqardhje e dyshime. Ne që gjykuam ndryshe, që nuk e mendojmë SPAK-un një organizatë kriminale, mbetem më pak dhe shumë nga mbeshtetësit tanë na e bëjnë me gisht, teksa si Odiseu kalojmë përmes nevojës për një drejtësi të re dhe ristabilizimit të marrëdhënieve të PD me SHBA-të, kaq jetike për ne e kombin. Ne duam bashkimin e PD-së pa përjashtime, ende kemi besim se ajo bëhet dhe bind. Koha do ta vertetojë. Ne do ta provojmë. Secili ka të drejtë hyjnore të tentojë me korrigjuar gabimet e veta. Nxitimi për të arrestuar Sali Berishën nuk e bën sot Shqipërinë më të ndershme e as më të drejtë përtej meritave apo gabimeve të tij, cilat do qofshin.

Përkundrazi, ajo sot është me paqartë, më pragmatike, më mosbesuese, më e vogël në njerëz që rendin për të ikur, më me shumë pikëpyetje. Demokracia është edhe procedurë e cila u dhunua me dashje e zgjedhje. Ata që gezohen tek mazhoranca duhet të dinë një gjë, që vetëm prapanicat kanë të vetat dhe jo karriget. Sado vonë, gjithmonë ndodh diçka që i lë pa të, me të prapmen në rrezik, të vetmuar, ku nuk të flasin as shokët e partisë (veç të shihje Arben Ahmetajn muajt e fundit), ku krenaria shndërrohet në rënie psikologjike, pa përjashtuar zhvillimet e brendshme apo ato shoqërore një ditë. Sot Shqipëria hyn në listën e vendeve që burgos shefin e Opozitës 10 vjet pasi ka rënë nga pushteti dhe i zgjat jetën një pushteti që prej 10 vitesh vetem mbjedh vetveten dhe eleminon Opozitën. Ne i lëmë trashigimi njëri tjetrit kujtimin e keq bazuar mbi principin “vdekja jote është jeta ime”!

Zjarr Tv Ad