Analisti Fatos Lubonja ka komentuar dekretin e fundit të presidentit Bajram Begaj, atë të ligjit për Komisionet Hetimore, që ka sjellë shumë reagime në kampion opozitar.
Lubonja, në një lidhje në emisionin ‘Open’, tha se të gjithë presidentët janë zgjatime të qeverive, ndërsa për Begajn tha se nga gjeneral është bërë ushtar dhe se është vënë nga Rama në krye të presidencës që ky i fundit të zbatojë projektin e tij për të mos pasur asnjë kundërshtim.
Lubonja tha se kur katandiset presidenti në këtë situatë, tregohet dhe se ku jemi ne të gjithë, ndërsa në aspektin politik qëndrimet e Begajt i cilësoi alarmante.
“Zgjatime presidentët kanë qenë. Ka edhe një lloj ligjësie natyrore që tregon gjatësinë se sa je zgjatim. Vërtetë këta zgjatime kanë qenë, por Rexhep Meidani kishte një lloj personaliteti dhe kontributi dhe aq sa e dimë ka pasur konflikte me Nanon. Pastaj, erdhi Meidani që u vu nga ndërkombëtarët. Kishte një ligj që të zgjidhej me 85 vota. U hoq ai ligji. Pastaj, erdhi Bamir Topi që kishte konflikte me Berishën.
Pastaj, erdhi Bujar Nishani që kishte kryeministër Edi Ramën dhe kishte një lloj balance. Pastaj, erdhi Ilir Meta që ishte si kundërpeshë, pra që nuk ishte një zgjatim ndaj mazhorancës. Tani kemi një zgjatim që bën ndryshim cilësor. Nga të gjitha këto që përmenda kemi raste kundërshtimesh. Ilir Meta duke qenë President që kishte qeverinë kundër, bënte kundërshtime të argumentuara siç ishte Teatri etj.
Tani, kemi një zgjatim që nuk quhet më zgjatim, por pjesë, nga gjeneral është ushtar. Pa asnjë kontribut politik dhe intelektual por i zgjedhur në projektin që ka Edi Rama për të mos pasur fare kundërshtim. Unë gjykoj që projekti i Ramës nuk është vetëm Presidenti por të gjitha institucionet. Iu kujtohet kemi pasur një SHISH, Visho Ajazin, i dha një detyrë dhe e zhduku fare. SHIK-u i çon informacione kryeministrit dhe Presidentit. Tani SHIK-un e ka të vetin, Presidentin e ka të vetin dhe nuk del më asgjë.
Dje pashë një emision për censusin dhe rezultati do të jetë në qershor, ndërkohë në 2011 e dhanë pas dy muajsh. Kush do të na e thotë të vërtetën. Dalin fjalë që jemi nën 2 milionë dhe ne jemi një katastrofë e madhe, një krim i madh ndaj kombit shqiptar që e bën kjo bandë, e cila nuk do t’i zbulohen krimet. Në këtë logjikë janë edhe komisionet dhe si klimë të çon në kohën e qoftëlargut. Është politikë kjo! Qëndrimi i Presidentit është qëndrim që politikisht vë alarm përpara gjithë shoqërisë. Ne presim në njeri të pavarur që të thotë një fjalë për interesin e shqiptarëve. Ai duhet ta dinte shumë mirë që komisionet nuk duhen hequr. Ky bën qëllimin e Edi Ramës. Çështja është se si i bëhet me këtë bandë që do të mbyllë çdo gojë. Kur katandiset Presidenti në këtë situatë, është tregues për të gjithë ne ku jemi”, tha Lubonja.