Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Tiranë, ku skela e një pallati në ndërtim ka rënë dhe ka zënë poshtë 2 kalimtarë.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Parkut të Autobuseve në Tiranë. Dyshohet se janë plagosur babë e bij që ishin duke kaluar rrugën.
Ndërkohë bëhet me dije se të plagosurit janë transportuar në spital. Mësohet se gjendja e 70-vjeçarit është kritike, ndërsa vajza e tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të dy të lënduarit po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor.
Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat inxhinierin dhe dy punëtorë të pallatit në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Më datë 22.01.2024, rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta”, janë rrëzuar skelat e nje pallati në ndërtim e sipër, dhe si pasojë janë dëmtuar 2 shtetas (kalimtarë) H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe.
Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.