Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, ku tetë persona kanë humbur jetën pasi mjeti ku udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në anë të lumit Vjosë.
Nga aksidenti kanë humbur jetën shoferi nga Shkodra dhe shtatë klandestinë që ndodheshin në makinën, e bërë copash pas përplasjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit tip Benz nga drejtuesi.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.