Nga “dorëheqja”, te përplasja me Policinë dhe “arratisja” e Veliajt/ Ç’ndodhi sot në protestë?

0
117
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Për më pak se tre orë, aq sa ishte marrë leje në Polici, ka zgjatur protesta para Bashkisë së Tiranës, ku qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas aferës korruptive “5D”, ku drejtorët kishin përfituar miliona euro tendera ky institucion.

Mijëra qytetarë janë mbledhur para godinës së bashkisë me pankartat në duar dhe duke brohoritur “hajdut, hajdut: kanë gjuajtur me vezë dhe mollë drejt mureve të Bashkisë.

Pjesë e protestë kanë qenë edhe eksponentët kryesore të opozitës, por sipas tyre, ata kishin shkuar aty si protestues, pasi protesta ishte organizuar nga “Alenca për Mbrojtjen e Teatrit”.

“Ne jemi në rolin e protestuesit. Në dijeninë tonë këtë protestë e ka organizuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrin, një protestë qytetare. Qytetarët po protestojnë se këtu kanë simbolin e babazisë dhe kreu i inceneratorit të Tiranës. Në jemi sot në rolin e një qytetari në këtë protestë. Këtu është kreu i inceneratorit të Tiranës, këtu është edhe kreu i organizatës kriminale 5D. Ne sot jemi këtu në rolin e qytetarit.” – tha në një prononcim për mediat Flamur Noka.

Protesta është shoqëruar me tensione të vogla, ku ka patur shtyrje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë, pasi anëtarët e opozitës në Këshilli Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar që të futen brenda Bashkisë së Tiranës për të depozituar një kërkesë për informacion për vjedhjen me aferën “5D” dhe të kërkonin mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak, por nuk janë lejuar.

Edhe pse në një ditë normale pune, Erion Veliaj i kishte vënë zinxhirin dhe drynin derës kryesore të Bashkisë së Tiranës dhe nuk dihet nëse administrata ishte brenda godinës së bashkisë apo jo.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi tha se në kohën që po protestojnë qytetarët, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po shkon të drekojë me pjesën tjetër të bandës së “5D”-së në restorantin e Narit në Lundër. Ai e konsideroi Narin si një bandit që ka grabitur tokat e fshatarëve.

“Ndërkohë që ne jemi këtu në protestë, ndërkohë që anëtarët e këshillit bashkiak kërkojnë informacione për vjedhjet që kanë ndodhur, ndërkohë që jemi në ditë pune dhe anëtarët e këshillit bashkiak kanë gjithë të drejtën ligjore për t’u future në Bashkinë e Tiranës, a e dini ku po shkon Erion Veliaj? Po shkon të drekojë me pjesën tjetër të bandës së ‘5D’-së në restorantin e një banditi tjetër, administratorit të njësisë Farkë, Narit të Lundrës që nuk ka lënë tokë të fshatarëve e qytetarëve pa grabitur”, u shpreh Këlliçi.

Ndër të tjera, Këlliçi u premtoi qytetarëve se e gjithë banda që fshihet brenda mureve të Bashkisë së Tiranës do të shkojë e gjitha në burg. Ai tha se nuk e falin gjakun e Ardit Gjoklajt, pasi e kanë amanet nga familja e tij. Ai u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të protestojnë deri në largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Kjo është protesta e parë që kërkohet dorëheqja e një banditi që qëndron në krye të bashkisë për të vjedhur taksat tuaja. Arrestohesh apo jo, ku nuk është problemi unë, largohu një orë e më parë nga Bashkia. Ti hajdut, që me bandën 5D terrorizove qytetarët e Tiranës më 14 maj, ku e ke Taulant Tushën, Mariglen Qaton, Redi Mollën, ku do e kesh shumë shpejt Erion Rrajan e Kombinatin, ku e ke Englantina Zeren. Ku jeni mo banditë që s’keni lënë taksë e votë pa vjedhur. U japim fjalën qytetarëve se kjo bandë që fshihet brenda mureve të bashkisë, që drejtohet nga Erion Veliaj, do të shkojë i tëri në burg. Drejtësia do të vendoset në vend. Kjo betejë nuk bëhet për të hequr një kryetar bashkie dhe për të vënë një tjetër, bëhet për të çmontuar një filozofi qeverisëse që bazohet në keq bërjen e qytetarëve dhe vjedhjeve në taksave dhe aseteve tuaja. Ne sot nuk flasim vetëm për qytetarët e Tiranës, për nënë Lizën që i ke vjedhur shtëpinë, banorët e Unazës, Myslym Ketës. Ndaj, ju bëj thirrje që në mënyrë sistematike të vijojmë të mblidhemi në protesta para bashkisë, deri në largim të Erion Veliajt. Ne nuk e falim Ardit Gjoklajn, e kemi amanet nga familja e tij. Janë dhënë miliona euro për inceneratorin e Tiranës dhe incenerator nuk ka. E ke kthyer Tiranën në lavatriçe të pastrimit të parave. Kjo bandë, që fshihet në Bashkinë Tiranë, shumë shpejt do shkojë në burg, drejtësia do vendoset në vend, do apo jo Veliaj.” – tha Këlliçi.

Protestës i është bashkuar edhe Argita Malltezi, vajza e liderit demokrat Sali Berisha, e cila mbante një bluzë me mesazh për të atin. “Lironi liderin e Opozitës” shkruhej në bluzën e Argitës, teksa sipër shkrimit ishte dhe kryedemokrati, Sali Berisha.

Në një prononcim për mediat, Malltezi e konsideroi Veliaj si një kopje të shëmtuar të kryeministri Edi Rama, që nëse nuk e duan kryeministër pas tij, qytetarët duhet të reagojnë. Sipas saj, SPAK nuk ka kryer asnjë hetim për Veliajn për këtë çështje, por ka pasur si qëllim ta minimizojë.

“Prononcimi është te pjesëmarrja dhe arsyeja e thirrjes së protestës. Ju shihni se si zullumi është trashur aq shumë sa ka arritur përmasa të pa konceptueshme më parë. Paratë e shtetit shkojnë në xhepat e pushtetarëve në ditën për diell dhe justifikohen nga Veliaj si probleme teknike me organizatën. Këto gjëra nuk ndodhin kurrë nëse titullari nuk ka pjesë. Nuk kemi parë një hetim nga SPAK për këtë çështje përsa i përket Erion Veliajt dhe ka gjithashtu tentativa për ta minimizuar kualifikimin e veprës penale në shpërdorim detyre ndërkohë që kjo është një vjedhje flagrante miliona euroshe. Protesta dhe reagimi popullor do shërbejë për rrëzimin e sistemit që është kancer për shoqërinë por edhe për celjen e një sistemi për të gjithë at që duan të rrisin fëmijët në Shqipëri. Kam shpresë së protesta do mbështetet gjerësisht. Ky është kryebashkiak që do të jetë kryeministër. Nëse doni një kopje të shëmtuar të Ramës në pushtet atëherë mos reagoni.” – tha Malltezi.

Po ashtu, i pranishëm në protestë ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se SPAK duhet të “zgjohet” dhe të hetojë Erion Veliajn pasi kryeqyteti nëpërmjet ndërtimeve pa kriter është bërë “lavatriçja më e madhe e pastrimit të lekëve nga krimi i organizuar”. Gjithashtu Meta premtoi se Bashkinë e Tiranës shumë shpejt do t’ia kthejë qytetarëve.

“Në Tiranë dhjetra familje janë rrugëve dhe Veliaj e ka nxjerrë nënë Lizën në mes të rrugës, ka nxjerrë edhe nëna me foshnje me gaz nga shtëpitë e tyre, Tirana është vërë lavatriçja më e madhe e pastrimit të lekëve nga krimi i organizuar. opozita duhet ta nisë nga ata këshilltarë që nuk luftojnë si këshilltarët që folën këtu, Hajde nënë Liza, o burrneshë. Ti një ditë do të flasësh tek karrigia e atyre 5D-ve., Kjo fara e keqe e Rilindësve nuk i do nënat shqiptare, me këto tradita e halle. I bëj thirrje këshilltarëve opozitarë që duhet të jenë bashkuar dhe të distancohen nga ofertat e Veliajt për të heshtur, zgjedhjet e vjedhura e të blera nuk e mbajnë dot gjatë atyre Veliaj. Ndaj ti bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës, shqiptarë të bashkohemi kundër projektit shfarosës të kombit tonë nga ky sekt kriminal, Unë kam problemet e mia, por dal në mes të Tiranës pa bodyguard. Unë i kam përzërë punonjësit e Gardës sepse janë patronazhistë. Erdhi ora t’i përzëmë. Sali Berisha është i lirë sepse është në zemrat e të gjithë atyre njerëzve që kanë dinjitet. Bëjmë thirrje qytetarëve të ngrihen, kur ngrihet populli bie Tirania. Këtë bashki do ia kthejmë qytetarëve të Tiranës shumë shpejt”,tha Meta.

Kujtojmë se në lidhje me dosjen “5D” SPAK ka arrestuar tre prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha, Redi Molla dhe Mariglen Qato, si dhe ka vënë nën hetim disa zyrtarë të tjerë të bashkisë.

“Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit Eduard Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhametllari, si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. Nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.” – thuhej në njoftimin e SPAK.

Zjarr Tv Ad