Dymbëdhjetë emigrantët që ndodhen në Gjadër duhet të kthehen menjëherë në Itali. Në këtë vendim ka dalë gjykata e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës. Dhe kjo pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga komisionet përkatëse.
Media italiane ‘La Repubblica’ raporton se vendimi i Gjykatës së Romës u bazua në arsyetimin e gjykatës europiane të datës 4 tetor, ku thuhej se Egjipti, Bangladeshi, Tunizia dhe disa vende të tjera konsiderohen të pasigurta, dhe në këto kushte emigrantët nga këto vende nuk mund të qëndrojnë në kampet në Shqipëri.
Gjyqtarja Luciana Sangiovanni një në njoftim për shtyp thotë se shtetet e origjinës së personave të ndaluar nuk mund të njihen si vende të sigurta, ndaj ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali. Pritet që emigrantët të hipin sërish sot në një anije për t’u kthyer në Itali, në portin ku qeveria italiane vendos t’i zbarkojë. Më pas ata do të kenë 14 ditë për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre për azil.
‘La Repubblica’ shkruan se udhëtimi i parë i anijes Libra zgjati dy ditë dhe kushtoi rreth 20 mijë euro rezultoi të jetë një dështim i plotë. Nga 85 të shpëtuar në det, vetëm 16 u dërguan në Shqipëri. Dy të mitur, u kthyen mbrapsht sapo mbërritën në portin e Shëngjinit. Monitorimi i cenueshmërisë më pas përjashtoi dhe dy të tjerë. Tashmë erdhi një përgjigje për kthimin edhe të dymbëdhjetë emigrantëve të tjerë.