Departamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla dhe familjes së tij. Vendimi, i bërë publik të mërkurën, thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Departamenti amerikan i Shtetit u ka ndaluar ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Vendimi i DASH-it thekson se, vet Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në SHBA. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre t’i miratojë privatisht ose publikisht. Përveç Llallës, shefi i diplomacisë amerikane ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes Ardjana Llalla dhe fëmijëve. Shkurtin e një viti më parë, kur ishte ende kryetar i organit të akuzës, Ambasada amerikane në Tiranë i anuloi Llallës dhe së shoqes vizën diplomatike, veprim ky të cilin ish-kryeprokurori e priti me indinjatë të thellë e i dërgoi edhe një letërankesë presidentit. Por ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu e bëri të qartë pak ditë më parë se, historinë e Llallës nuk do ta mbyllë as kërkesa e tij për të mos qenë më pjesë e sistemit të drejtësisë , e për pasojë nuk mund të jetë subjekt vettingu. Përmes dy mesazheve në Twitter, Lu reagoi se vendimi për tërheqje nuk i shfajëson ish-zyrtaret nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre.