Banorët e Tiranës nuk ngurrojnë për të marrë një hua, si për të blerë një shtëpi, apo edhe për qëllime konsumatore, si makina, riparim shtëpie, blerje elektroshtëpiakesh, apo edhe telefonash celularë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për stokun e kredisë për individë sipas rretheve, të përpunuara nga Monitor për numër banorësh, tregojnë se huaja për banor në kryeqytet është 884 euro, gati tre herë më e lartë sesa qyteti i dytë që vjen më pas në listë, Durrësi. Në total, në Tiranë individët kanë për të kthyer në banka 101 miliardë lekë hua, ose rreth 780 milionë euro, sipas të dhënave që i referohen tremujorit të parë të vitit 2018. Rreth 70% të kësaj shume e zë huaja për blerje banesash (624 euro për frymë), që shënon një rritje të qëndrueshme vit pas viti. Kryeqyteti shqiptar po zhvillohet me shpejtësi dhe tregu i banesave është gjallëruar vitet e fundit, duke u reflektuar dhe në shtimin e borxheve që qytetarët kanë marrë për të pasur një shtëpi të vetën. Ai mirëpret dhe një numër të lartë banorësh që vijnë nga rrethet e tjera. Tiransit nuk kursehen as për huanë konsumatore, e cila arrin në 214 euro për banorë dhe është sa dyfishi i qytetit të dytë që vjen pas në renditje, që është sërish Durrësi. Në vend të dytë, durrsakët kanë 338 euro kredi për banor, 60% e të cilës ka shkuar për blerje banese. Të tretën janë vlonjatët me 244 euro për frymë, ku sërish 60% e kësaj shume ka shkuar për të blerë një apartament. Më pas vijnë shkodranët me 221 euro për frymë, 57% e të cilës është për blerje banese. Pas tyre vijnë banorët e Lezhës, Fierit dhe Elbasanit, me përkatësisht 183, 152 dhe 152 euro për frymë. Të njohur si nikoqirë, korçarët nuk zhgënjejnë as në këtë rast. Ata janë më dorështrënguarit për të marrë një kredi, duke pasur nivelin më të ulët të huadhëniës për individë për frymë, prej 142 eurosh, që është 6 herë më e ulët sesa e banorëve të kryeqytetit. Ndërsa qyteti, banorët e të cilët marrin më shumë kredi konsumatore është Elbasani, me 42% të totalit të huasë që shkon për blerje makinash, apo qëllime të tjera përveç shtëpië. Në total, në fund të tremujorit të parë 2018, stoku i kredive që individët kishin marrë në banka ishte 170 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Me baza vjetore, stoku i huasë për individë është rritur me 5.2%, ku efektin më të madh e ka dhënë Tirana.
Ja qyteti me më shumë borxhe dhe ai me më pak
Zjarr Televizion Ad
This is a sample article.
...