Pas videos që po qarkullon në rrjetet sociale, ku shihet kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi teksa këndon këngë kushtuar diktatorit Enver Hoxha, ka reaguar ky i fundit.
Në një lidhje telefonike për ‘BalkanWeb’ Peçi pohoi se gjithçka ishte në kuadër të festimeve për rastin e 75-vjetorit të çlirimit të qytetit, në një darkë zyrtare të shtruar nga Bashkia e Tepelenës.
Ndërkohë, pyetjes lidhur me kërkesën publike të Tritan Shehu për shkarkimin e kryebashkiakut, Peçi tha se deputeti i PD duhej të ishte dje pjesë e festimeve dhe mos të merrej me këto histori.
“Gjithçka ishte në kuadër të festimeve. Nuk kishte asgjë tjetër. Sa për reagimin e deputetit të PD-së, për këtë qark, Tritan Shehut, do e pyes pse nuk erdhi dje në aktivitet, po merret me këto histori? Po le të më heqin, ca të them unë. S’do merrem me këto histori”, tha kryebashkiaku Peçi për ‘BalkanWeb’.
Në videon që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale shihet se si Tërmet Peçi shoqëron me zë Golikun e famshëm të Bënçës, teksa këndojnë këngë për Hoxhën, madje ai në një moment përshëndet me grusht.