Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PD dhe PDIU-se, kryetarja e LSI-së znj, Monika Kryemadhi, është shprehur për herë të parë për afrimin e kësaj force politike me opoziten.
Me anë të një postimi në faqen e saj në Facebook, Kryemadhi e sheh pozitiv këtë afrim, duke theksuar se “Afrimi i PDIU-së në koalicionin opozitar është njëkohësisht shenjë e mbarë se opozita e bashkuar po shkon drejt zgjerimit dhe unifikimit të qëndrimit të saj me një spektër më të gjerë të politikës”.
Postimi i Kryemadhit Afrimi i PDIU-së në koalicionin opozitar është padyshim një zhvillim pozitiv në përpjekjet për të çmontuar dhe për t’u përballur me qeverinë banditeske të Edi Ramës. Zgjerimi i spektrit politik opozitar është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, që çdo ditë e më shumë po kuptojnë dhe provojnë mbi shpatullat e tyre pasojat e qeverisjes nga Edi Rama, një kryeministër që po i çon shqiptaret në zgripin e varfërisë dhe paturpësisht përdor demagogjinë për të fshehur skamjen, hajdutërinë e pushtetarëve, krimin dhe banditizmin e politikës.
Afrimi i PDIU-së në koalicionin opozitar është njëkohësisht shenjë e mbarë se opozita e bashkuar po shkon drejt zgjerimit dhe unifikimit të qëndrimit të saj me një spektër më të gjerë të politikës. Ky duket të jetë një proces i pakthyeshëm, që tashmë veç afrimit të partive politike do të prekë edhe shoqërinë civile, profesionistët e nderuar dhe të gjithë ata qytetarë që tashmë e kanë kuptuar se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim drastik, atë të ndarjes së krimit nga politika dhe vendimmarrja./k.f/