Siç ishte paralajmëruar dhe më parë, opozita e bashkuar është mbledhur në Vlorë sot. Në krah të kreut të PD-së Lulzim Basha kanë qenë kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Në fjalën e tij Basha ka derdhur një lum akuzash kundrejtë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. E ka nisur me teatrin dhe më pas me drejtësinë. Basha tha se shteti ka rënë dhe ndodhemi në emergjencë kombëtare.
“Në sallën e kuvendit një maxhorancë e inkriminuar po ndërmerr një akt të paprecedentë në historinë e Europës.
Edi Rama dhe hajdutët dhe kriminelët e tij në parlament bashkë me një tufë delesh u kapën flagrant në vjedhje, përmes një proceduar të përshpejtuar për grabitjen e pronës publike që të ngrinin 7 kulla me një vlerë 200 milionë euro. Nga Uashingtoni në Bruksel nuk ka njeri që nuk e kupton më se Edi Rama është një hajdut me damkë. U kapën në një akt vjedhje.
Nuk ka prokuror për të gjykuar banditët, kjo është vepra e Edi Ramës me reformën në drejtësi që është kthyer në instrument të politikës së lidhur me krimin. Shullazi Tahiri e Rama janë një.
Drejtësia në kolaps shteti në kolaps, pa gjykatë kushtetuese pa prokuror, nuk mund të jetë zgjidhja për kuvendin. Ne ndodhemi në emergjencë kombëtare, Prokuroria ka rënë siç e demonstron rasti Shullazi”, deklaroi Kreu i PD-së.
Basha tha se në Vlorë janë 18 persona të zhdukur pa lënë gjurmë, trefish i personave të zhdukur në çdo qark.
“Ky bilanc kriminal është kaq i rënduar për dy arsye. Rama ia dorëzoi kontrollin Saimir Tahirit, dhe më pas Fatmir Xhafës. Nëse i pari e bënte drogën me kushërinj i dyti e bën me vëllain e tij”, deklaroi kreu i PD-së.
Sipas tij, ekonomia e Vlorës është në kolaps total, papunësia është në nivele rekord, si edhe numri i të rinjve që largohen nga vendi.
“Krimi i organizuar e ka shndërruar Vlorën në një zonë lufte për kontroll mes bandave ky viktimat janë qytetarët e pafajshëm.Jemi sot këtu për të çjerrë maskën e takimeve fasadë, për të treguar të vërtetën tronditëse të një qyteti të marrë peng nga krimi. Vlora s’mund të rri peng i krimit, fatura që po paguajmë është shumë e lartë, me pasiguri e bllokim total të rrugës së integrimit”, theksoi kreu i PD-së.