Policia ka arrestuar dy personat që mbetën të plagosur me armë mbrëmjen e djeshme në ish-Bllok, ndërsa ka shpallur në kërkim tre autorët e dyshuar për vrasjen dhe plagosjen e dyfishtë.
Policia ka arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasit Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër.
Ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit :
– E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë
– F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë
– M. B., 41 vjeç, banues në Tiranë
Ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova”.
Policia thotë se “të arrestuarit Martinaj dhe Hato së bashku me viktimën Fabiol Gaxha janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali meb tre shtetasit në kërkim duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri- tjetrit”.
Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 28 vjeçari Gaxha, ndërsa Martinaj dhe Hato ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar
– armë zjarri tip “Glock”
– 11 gëzhoja
– 10 000 euro
– tre automjete
– aparate celular
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.