Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të plagosurit, të cilët u përfshinë në një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë mbrëmjen e së enjtes (4 tetor), ku mbeti i vrarë i riu Fabiol Gaxha.
Por avokati i njëri prej të plagosurve duket se nuk ka rënë dakort me ketë masë, pasi sipas tij nuk ka prova të mjaftueshme për vendosjen e masës ‘arrest me burg’
“Ishim në seancë gjyqësore te spitali ushtarak në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit me burg për Haton. Unë kërkova në seancë që gjykata të vlerësojë si të paligjshëm arrestimin në flagrancë, pasi nuk janë kushtet dhe rrethanat për të caktuar këtë masë sigurimi. Nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm të mbështetur në prova. Ai akuzohet për një vepër penale të rëndë. Asnjëra nga pretendimet e prokurorisë për ne si mbrojtje nuk janë të bazuara në ligj. Vendimi do të jepet më vonë. Gjendja është e rëndë, ndodhet në reanimacion. S’ka as shenjë gishtash, as gjurmë të qitjes. Pamje filmike nuk ka pasur. S’më duket asnjë provë bindëse për të provuar akuzat e prokurorisë. Ai është i pafajshëm në këtë situatë”- ka thënë Zeni Qinami avokati i Eljon Hatos.