Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka paralajmëruar Maqedoninë se nuk ka zgjidhje tjetër për anëtarësim në BE dhe NATO përveç zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Ai i bëri thirrje opozitës në të dy vendet që të pranojnë këtë marrëveshje.
Nikos Kotzias ka porositur përsëri Shkupin se nuk ekziston asnjë zgjidhje tjetër përveç pranimit të marrëveshjes së Prespës. Pas takimit në Këshillin për çështje të jashtme të BE-së në Luksemburg, shefi i diplomacisë greke shtoi se edhe me një matematikë të thjeshtë të shkollës fillore, nuk mund të arrihet marrëveshje më e mirë për secilën palë, “siç theksojnë opozitat e dyja vendeve”.
Sipas asaj që raporton agjencia greke e lajmeve MIA, Kotzias ka thënë se takimi i djeshëm ka filluar me çështje lidhur me Maqedoninë.
“Kam sqaruar se duhet të kuptohet në Shkup se nuk ekziston asnjë zgjidhje pa pranimin e Marrëveshjes së Prespës dhe se nuk është e mundur të ndodhë ajo që thonë se dy partitë opozitare në Athinë dhe Shkup, se mund të sigurojnë një marrëveshje më të mirë për secilën palë, pasi kjo nuk është e realizueshme”, ka thënë shefi i diplomacisë greke.
Kotzias nënvizoi edhe njëherë se nuk do të ketë anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO pa implementimin e marrëveshjes së Prespës.