Arkimed Lushaj sërish në telashe. Reperi i njohur me emrin e artit Stresi, mësohet se është arrestuar mbrëmjen e kësaj të mërkure nga policia e kryeqytetit, në ambientet e një hoteli. Burime nga policia e Tiranës thonë se reperi akuzohet për armëmbajtje pa leje. Kjo nuk është hera e parë që Stresi ndalohet nga efektivët e policisë për armëmbajtje pa leje. Në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.
Në Janar të 2015-ës, Stresi u ndalua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ai i jepte makinës në gjendje të dehur dhe kundërshtoi edhe efektivët e policisë. Por si të mos mjaftonte kjo, pasi u shoqërua në komisariatin Nr 3, reperi u arratis duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë.
Ndërsa një video e publikuar në rrjetet sociale, ku 31-vjeçari shfaqej duke qëlluar me shotgun në ambient publik, bëri që në Janar të 2017-s, Stresi të shpallej në kërkim.
Problemet e fundit me policinë për reperin ishin në Prill të këtij viti, kur Lushaj u arrestua pasi u kap duke konsumuar kokainë në një lokal bastesh.