Një specie e re është zbuluar në Orikum.
Një shpend i vogël me peshë 8.2 gr., me gjatësi krahësh 5.4 cm, gjatësi bishti 4.3 cm dhe gjatësi mesatare bisht-kokë 11-12 cm. Fishkëllyesi i murrmë është specie e re për vendin tonë. Ai u zbulua nga studiesit e huaj hungarezë nga MME – Magyar Madártani Egyesület dhe shqiptarë nga AOS.
Zogu është mjaft i rrallë në Europë dhe konsiderohet si endacak.
AOS raporton se specia ndodhet kryesisht në Azi dhe pika më e afërt me Shqipërinë janë Himalajet ose kufiri Indi-Pakistan-Nepal.
Është kryesisht insektngrënës dhe shtegtar tipik. Pas sezonit të folezimit zbret në Indi, Malajzi, Vietnam, Bangladesh, Kinën jugore etj. Identifikimi në natyrë i Fishkëllyesit të murrmë është mjaft i vështirë për shkak të ngjashmërisë së lartë me fishkëllyes të tjerë dhe sidomos me Fishkëllyesin e vogël .
Ky zbulim i jashtëzakonshëm jep një kontribut të madh në njohjen më të mirë të faunës së Shqipërisë.