Prej disa ditësh banorët e zonës përgjatë Astirit në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë për shembjen e banesave të tyre për shkak të projektit të ‘Unazës së Re’, kanë bllokuar rrugën. Ndaj edhe sot ata zgjodhën të bënin të njëjtën gjë, ndërsa shprehen të bindur se nuk do të pranojnë zgjedhjet alternative që u ka dhënë qeveria.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me banorët e zonës së Unazës së re në Tiranë, të cilët prej disa ditësh kanë bllokuar rrugën në mënyrë simbolike, për të kundërshtuar shembjen e banesave të tyre.
Gjatë takimit me Bashën, protestuesit kanë kërkuar dëmshpërblim të plotë për shembjen e shtëpive.
Në mbështetje të banorëve në protestën që u zhvillua sot që prej orës 7 të mëngjesit ishin dhe deputetë të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, Oriola Pampuri si dhe Klevis Balliu. Ndërkohë, në një lidhje direkte për ‘News24’ deputetja Pampuri pohoi se ata do të qëndrojnë deri në momentin e fundit pro banorëve, deri sa ata të marrin dëmshpërblimin që meritojnë për banesat e tyre.
“Deri në momenti e fundit do jemi në krah të banorëve, si në aspektin moral dhe ligjor. Është e patolerushme dhe ka vetëm një zgjidhje, që ata të dëmshpërblehen me çmin e tregut”, tha demokratja. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve shprehën indinjatën se pse policia nuk ishte në vendngjarje, por i lë ata që të përballen me protestuesit.