Rrugët e Rusisë janë më vdekjeprurëset në Europë, ndërsa Norvegjia dhe Zvicra kanë rrugët më të sigurta, një konkluzion ky i nxjerrë sipas statistikave të reja të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Rrugët e Rusisë janë më vdekjeprurëset në Europë, ndërsa Norvegjia dhe Zvicra kanë rrugët më të sigurta, një konkluzion ky i nxjerrë sipas statistikave të reja të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Duke analizuar të dhënat nga viti 2016, raporti nënvizon se gjatë vitit në Rusi ka më shumë se 20 mijë viktima si pasojë e aksidenteve rrugore, mesatarisht 18 viktima për 100 mijë banorë. Nga kjo shifër, 23 për qind kanë si pasojë alkoolin.
Në Norvegji, në vitin 2016 ka pasur 135 viktima në aksidente rrugore, ndërsa 216 në Zvicër, mesatarisht 2.7 vdekje për 100 mijë banorë. Si pasojë, përdoruesit e rrugës janë 7 herë më të rrezikuar të humbasin jetën në një aksident rrugor në Rusi, sesa në Norvegji dhe Zvicër.
Në Bashkimin Europian, vendet e bllokut lindor kanë rekordet më të këqija për aksidentet rrugore me viktima, krahasuar me Europën Perëndimore dhe atë Veriore.
Rumania ka bilancin më të rëndë në Bashkimin Europian, me 10.3 viktima mesatarisht për 100 mijë persona, ndërsa Suedia renditet më e sigurta, me 2.8 viktima për 100 mijë banorë.
Sipas raportit, edhe Shqipëria ka një performancë të keqe, me 13.6 viktima për 100 mijë banorë, duke u renditur në klasifikim e gjashta, pas Rusisë që kryeson, Armenisë, Bosnjes, Gjeorgjisë dhe Ukrainës.
Sipas OBSH-së, pasuria e një vendi luan rol kryesor në statistikat për Europën, që tregojnë se një person është 3 herë më i predispozuar të humbasë jetën në një aksident rrugor në një vend me të ardhura mesatare, sesa në një vend me të ardhura të larta. Kjo, për shkak të një serie arsyesh, përfshirë ligjet më të dobëta mbi qarkullimin dhe infrastrukturën më të varfër.
Sidoqoftë, në krahasim me pjesën tjetër të botës, Europa mbetet më e sigurta. Përdoruesit e rrugës janë dy herë më të rrezikuar të humbasin jetën në aksidente rrugore në Afrikë, që ka rekordin më të keq sesa në Europë.