Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore.
Këtë herë në provë kalon gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë Fatos Qato, i cili ishte i pranishëm në sallë bashkë me avokatin Julian Mërtiri.
Qato në fund të vitit 2017 përmes një shorti të hedhur u bë pjesë e vetingut për shkak se ishte kandidat i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në këtë proçes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfaqësohet nga Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari dhe Brunilda Bekteshi.
Qato e ka filluar detyrën në 1994 dhe ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor në Shqipëri. Për më shumë se 15 vjet ka qënë anëtar i Gjykatës së Apelit Tiranë.
Një ndër 3 shtyllat kryesore të rivlerësimit ishte ajo e analizës së pasurisë, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
KPK u shpreh se hetimi administartiv për Qaton është bërë vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas KPK, ILDKPKI sqarojnë se ai ka bërë deklarim të saktë, nuk ka mungesë burimesh financiare, nuk ka fshehje apo deklarim të rremë.
Pasuritë e tij janë një apartament 144 m2 në Tiranë, i blerë në 1997, 28 mijë USD, pjesë takuese 50 %, dhe është hipotekuar 20 vjet më vonë. KPK citoi se subjekti ka deklaruar si burim të ardhurat nga kursime familjare si dhe ndihmesë nga prindërit.
KPK ka konstatuar se subjekti nuk kishte depozituar dokumentacion për të ardhurat e tij dhe bashkëshortes për vitet 1983-1993, gjithashtu kishte mungesë të burimeve financiare për blerjen e apartamentit.
Subjekti ka pohuar se nuk e ka përfshirë në deklarimin e vitit 2003 ndihmesën e dhënë nga prindërit e bashkëshortes, pasi e kishte për herë të parë dhe nuk e kishte të qartë si ta plotësonte. Po kështu gjyqtari ka deklaruar shtëpi banimi në pronësi të bashkëshortes, përfituar në 2005 me kontratë dhurimi, pjesë 50 %.
Një tjetër pasuri është një automjet “Renault” blerë me leasing 28 mijë 500 euro.
KPK është shprehur se banka ka konfirmuar këtë kontratë me qira financiare, por në vitin 2012 kur është porositur kjo pasuri, dy bashkëshortët nuk kanë pasur pasurinë e nevojshme.
Në të njëjtin vit bashkëshortja ka blerë një tokë arë 108 mijë lekë në Pogradec, ku sipas KPK rezulton se çmimi për tokën ishte 264 mijë lekë.
KPK tha se po në këtë vit subjekti ka kryer shpenzime si likuidimi i një qiraje financiare për një mjet tjetër, likuidimi i kontratës se mjetit “Renault”, shpenzime për shkollimin e djalit, shpenzime për udhëtime jashtë shtetit (konfirmuar në Tims).
Sipas llogaritjeve është minus 2 mln lekë vlera e pamundësisë për të mbuluar shpenzimet.
Shpenzimet për shkollimin e tre fëmijëve variojnë 14,7 dhe 3 mijë euro.