Sipas një parashikimi të Kombeve të Bashkuara 5.3 milionë banorë të Venezuelës do të largohen nga vendi deri në fund të vitit të ardhshëm për t’i shpëtuar krizës politike dhe ekonomike.
Këto gjetje u përfshinë në një plan-përgjigje rreth migrimit më të madh të njerëzve që ka prekur Amerikën Latine në historinë e kohëve të fundit. Plani u hartua nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
“Po përballemi me një tërmet humanitar,” tha Eduardo Stein, përfaqësuesi special i UNHCR-IOM-it në Venezuelë, gjatë një konference për shtyp të mbajtur të premten në Gjenevë.
Rreth 2.3 milionë venezuelas janë larguar nga vendi që nga viti 2015 dhe rreth 2 milionë të tjerë parashikohet të largohen vitin e ardhshëm. Një total prej 3.3 milionë personash jeton aktualisht jashtë vendit.
Shefi i UNHCR-së Filippo Grandi tha se arsyet e këtij eksodi lidhen me “urinë, dhunën dhe mungesën e sigurisë”.