“Ndryshimet në qeveri, Rama zhgënjen cinikët dhe lolipopistët: vendos të Rilindë veten”

0
124
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lorenc Vangjeli

Edi Rama ja doli sërish që t’i zhgënjejë të gjithë. Të zhgënjejë thellë edhe miqtë, edhe armiqtë. Skeptikët dhe optimistët. Cinikët dhe lolipopistët profesionistë. Parashikuesit dhe prapashikuesit.

Kryeministri jo vetëm që nuk bëri ndryshimet e pritura nga të gjithë në qeverinë e tij, por me të gjitha gjasat, edhe nëse vendos t’i bëjë, do t’i bëjë në një drejtim krejt të kundërt nga ai që miqtë e tij të pakësuar dhe armiqtë e shtuar, presin të ndodhë: Nuk do të ketë largim figurash politike nga kabineti i tij, por distancim nga individët që nuk kanë lidhje me politikën. Ky do të jetë parimi që ngjan se Edi Rama ka përqafuar në këtë dimër të nxehtë për të. Ky është parimi që do të ndjekë kur përfundimisht kuptoi se çfarë kishte emëruar vetë, ishin zgjedhje të mrekullueshme për kohën në paqe e për paçe këmbësh, por që në luftë përgatisnin këmbët për t’ja mbathur bashkë me faqen e zezë të heshtjes. Seria e protestave i kanë dhënë një shans vetë Ramës që të kuptojë zgjedhjet e tij të gabuara në vite. Njerëzit e tij më të afërt, duke nisur me antarët e kabinetit, do të duhej të funksiononin si një sistem siguresash politike që do të duhej të digjeshin njëri pas tjetrit për të mos lejuar tensionin të mbërrinte në zyrën e tij. Në mungesë të këtij sistemi dhe për shkak të zgjidhjeve të tij personale, tensioni ka shkuar drejtpërdrejt tek zyra e tij me flutura duke i gudulisur shumëkujt fluturat e dashurisë për pushtet në stomak.

Eshtë stil i hershëm i Edi Ramës konceptimi i rrethit të njerëzve të tij të afërt dje në opozitë dhe sot në pushtet, si një strukturë bashkie. Me drejtora dhe shefa sektori, mbi të cilët, ai qëndron i vetëm si drejtor i përgjithshëm. Në një vend ende tribal si Shqipëria, ku kulti i individit është i plotfuqishëm dhe demokracia është ende një foshnje e dobët dhe distrofike, ky stil është pothuaj zgjedhje e vetme, pavarësisht se është zgjidhja më e gabuar. Për vetë individin në veçanti dhe për gjithë shoqërinë në përgjithësi. Dje e përdorte Berisha dhe më herët edhe Nano e kushdo tjetër që ka qeverisur këtë vend, duke varrosur të gjithë bashkë sistemin e meritës dhe të karrierës.

Secili nga ata, zgjedhjen e njerëzve me të cilët ndanë qeverisjen, por jo pushtetin, e kanë kryer në bazë të humorit të tyre vetjak pikërisht për të përqëndruar pushtetin në duart e tyre. Duke nisur edhe nga ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, kur krerët e partive u bënë padronë realë të partive të tyre, kjo gjë u bë edhe më e spikatur. Ministra të cilët e mësonin praninë e tyre në kabinet nga edicionet e lajmeve, ishin rregulli absurd I vendosur, ndërsa përjashtimet nga ky rregull, u bënë gjithmonë e më të rralla. Kabineti Rama Dy, i shkoi në ekstrem kësaj mendësie. Gjatë gjithë verës së 2017-ës, mbasi kishte dalë pronar absolut i gjithë tryezës ovale të qeverisë, Rama luajti deri në fund me kartën e suprizës për emrat e kabinetit të tij. Në një vend normal, surprizë dhe e hidhur, madje, do të ishte pikërisht një gjë e tillë: që publiku nuk e dinte në vija të përgjithshme që minimum gjashtë muaj apo dhe një vit më parë, se cilët ishin oferta qeverisëse e partive kryesore në vend.

Sot me të gjitha gjasat një gjë e tillë ka ndryshuar. Dhe nëse vërtet ka ndryshuar në këtë drejtim, atëherë Edi Rama do të ketë hedhur një hap të jashtëzakonshëm në drejtimin e duhur që do ta çojë sërish një hap përpara rivalëve të tij të drejtpërdrejtë, që vuajnë njëlloj zgjedhjet jo politike të njerëzve të tyre. Eshtë aksiomë: qeveria është krijesë politike, votohet politikisht dhe eksperimentet me të zgjedhur teknikë, janë të destinuar të dështojnë herët a vonë. Kjo është mënyra e vetme për të tejkaluar ngërçin që krijohet nga distanca mes votimit politik dhe zgjedhjeve teknike. Nga të cilat rezultojnë njerëz që me partinë që i ka katapultuar në krye, nuk kanë asnjë lidhje as morale, as njerëzore, as tradicionale dhe as historike. Që kanë një lidhje direkte me bossin, por nuk i hyjnë në punë as bossit të rradhës. Kjo është arsyeja se pse, partitë politike shqiptare, ngjajnë si shkretëtirë njerëzish pas shpinës së kkryetarit të tyre.

E gjithë PD-ja, në tetë vjetët e saj në pushtet mundi të ketë vetëm dy krijesa të vërteta politike: Sokol Olldashin e ndjerë dhe vetë Lulzim Bashën. Gjithë të tjerët, edhe pse ndër ta kishte personazhe edhe më politikë sesa këta të dy, ishin vetëm hije dhe të lënë qëllimisht në hije nga Berisha.

E njëjta histori po ndodh edhe me PS-në, që në vitin e saj të gjashtë të qeverisjes, duhet të numërojë disa herë vetëm Erion Veliajn si njeri politik e krijesë të Ramës, sa kohë që Saimir Tahiri u vetvra dhe e vranë para së gjithash ish-shokët e tij.

Protesta e studentëve e vuri Ramën përpara shumë dilemash. Dorëheqja e refuzuar prej tij e ministres së arsimit Nikolla, ishte akti i tij i parë politik për t’i dhënë një përgjigje politike jo vetëm krizës së ditës, por asaj që pritet të ndodhë në qershorin e ardhshëm, kur I duhet të shkojë në votimet lokale. Dhe kjo vendimmarje e tij, ngjan tashmë pjesë e filozofisë së tij tashmë të ndryshuar. Nëse Rama do të bënte ndryshime në qeveri pikërisht në këtë kohë, ai do të duhej të pranonte një sërë problemesh që para së gjithash, e dëmtonin atë vetë. Duke nisur që me tërheqjen e tij nën presion dhe për shkak të presionit të ngjarjeve të ditës. Duke e vënë atë në pozitën e njeriut të dobët të cilit I parashikojnë në rastin më të mirë dhe I imponojnë në rastin më të keq, lëvizjet politike.

Zgjedhjet e qershorit janë dhembja reale e kokës së Ramës, drejt të cilave ai po shkon tërësisht i vetëm. Pa përmendur emra, por duke ju ruajtur parimit, një e treta e qeverisë së tij nuk ka pothuaj asnjë kredit politik për të kërkuar votën e shqiptarëve. Një e treta tjetër ka nevojë që të prezantohet nga truprojet me kartë identiteti përpara militantëve se cili është. Ndërsa pjesa që mbetet, është pikërisht ajo që miqtë dhe armiqtë, skeptikët dhe cinikët, i kërkojnë ta lëvizë nga qeveria. E njëjta situatë apo dhe më keq është dhe në grupin e tij parlamentar. Nëse perifrazohet ministrja e tij e kulturës që perifrazoi një shkrimtar amerikan për lidhjen e librit me seksin, tre çereku I grupit të tij parlamentar, nuk do të kishte asnjë lidhje me seksin.

Në serinë e dilemave të Ramës hyn dhe diçka, që as miqtë dhe armiqtë e tij nuk ja thonë, por që ai e ndjen realisht. Sot më pak dhe nesër edhe më shumë. Brenda socialistëve të tij të ndryshuar, ka gjithmonë e më shumë individë që duan largimin e tij. Mes tyre ka burra që kanë mësuar të punojnë, burra që dinë të qëndrojnë dhe tëp resin dhe skutha të vegjël me shumicë që dinë ta kthejnë shpinën vetëm në dy raste: kur duan të kënaqin eprorët dhe kur eproët bien në hall.

Latinët thoshin dikur: “Amor Vincit Omnia”. E përkthyer lirisht në gjuhën e sotme të Tiranës, duhet thënë: “Politika fiton gjithmonë! Ky është parimi që duhet ndjekur për të kuptuar se pse në prag të Krishtlindjeve, Edi Rama i zhgënjeu të gjithë. Miqtë dhe armiqtë. Mbasi premtoi Rilindje e ndryshim për gjithë Shqipërinë, Edi Rama tani ka ndryshuar. Po kërkon të Rilindë vetëveten!

Zjarr Tv Ad