Rusia teston raketën e re hipersonike bërthamore

0
10
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti rus Vladimir Putin ndoqi personalisht të mërkurën testin e parë të raketës së re hipersonike, me kapacitete bërthamore. Në fund të procesit, që u mbyll me sukses, Putin deklaroi se regjimenti i parë i raketës së re të quajtur “Avangard” do të dërgohet për mision vitin e ardhshëm.

“Testi që sapo përfundoi tregon se nga viti i ardhshëm, forcat e armatosura ruse do të jenë të pajisura me sistemin strategjik ndërkontinental ‘Avangard’”, deklaroi Putin.

Presidenti u shpreh se ky është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e ushtrisë por edhe të vetë shtetit rus dhe afirmimit të tij në arenën ndërkombëtare. Raketa “Avangard” është në gjendje të transportojë një kokë bërthamore dhe të fluturojë si një avion me motor të fikur në të gjitha shtresat e atmosferës, duke kaluar e pakapur nga sistemet mbrojtëse të NATO-s.

Ajo mund të lëvizë me një shpejtësi që arrin deri në 20 Meç (Mach), që është 20 herë më e lartë se shpejtësia e zërit. Putin e ndoqi testin e zhvilluar të mërkurën në distancë nga godina e Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë. Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë më pas, Kremlini saktësoi se raketa “Avangard” u qëllua nga një lokalitet në jug-perëndim të Rusisë dhe goditi me sukses një objektiv në lindjen e largët të vendit.

Ndonëse vetëm një mes armatimeve të shumta të ushtrisë ruse, promovimi i raketës së re është një këmbanë alarmi për sigurinë e  Europës dhe jo vetëm, e trazuar pas dorëheqjes së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis.

Zjarr Tv Ad