Një tjetër padi nga Bashkia e Tiranës për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Mësohet se kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka paditur për shpërdorim të detyrës Bashën, (gjatë kohës që i drejtonte bashkinë) pasi e akuzon se i ka dhënë vetes leje për ndërtim të një kati shtesë në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit.
Në njoftimin për shtyp të Bashkisë, ky institucion i kërkon gjykatës: “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, Vendimit nr. 9305/9, datë 01.08.2014 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Lejes së Ndërtimit nr. 9305/12, datë 25.08.2014 për strukturën “Shtesë 1 kat mbi strukturën ekzistuese 1 kat”, në rrugën “Skerdilajd Llagami” për pronën e regjistruar me nr. 6/121+2-29, ZK 8160, vol 22, faqe 90, pranë ZVRPP Tiranë në bashkëpronësi të Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së tij Aurela Isufi (Basha) me zhvillues dhe subjekt ndërtues shoqërinë “ARCHIMED INTERNATIONAL” shpk”.
Në kërkesë padinë e depozituar në Gjykatë, Veliaj pretendon se Basha ka nxjerrë akte administrative për interesa private të tij të cilat sipas tij lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe tjetërsimin e pasurisë në pronësi të tij dhe të bashkëshortes.
“Në rastin konkret ish Kryetari i Bashkisë, Z. Lulzim Basha për një proces të rregullt ligjor dhe për vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme, ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi organi publik do të vendoste për një leje zhvillimore ndërtimi për shtëpinë e banimit të tij dhe bashkëshortes duhet të mënjanohej dhe të zgjidhte pa asnjë hezitim të vetëpërjashtohej paraprakisht nga procesi i vendimmarrjes dhe të delegonte këtë të drejtë tek zëvendësit e tij. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe opinioni i institucionit përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave, ku në kthim përgjigje për Bashkinë e Tiranës, i është drejtuar duke i ilustruar një rast konkret, nëpërmjet manualit të konfliktit të interesave në pushtetin vendor, ku një kryetar komune, në cilësinë e anëtarit të KRRT-së së komunës nuk ka marrë pjesë në votim në miratimin e lejes së ndërtimit për vëllanë e tij. Në këtë rast leja është miratuar me shumicë votash të anëtareve të KRRT-së dhe kryetari i komunës ka nënshkruar vetëm aktin final të zbardhjes së lejes së ndërtimit”, thuhet më tej në padi.