Mjekja ligjore Hrisavgji Kushi në Korfuz ka folur për një vrasje brutale të 28-vjeçares Angjelina Petro nga babai në Korfuz. Ajo ka thënë se vajza është goditur 7 herë me një shufër hekuri dhe i kishte duart lart si për t’u mbrojtur. Mjekja ka deklaruar se është shokuar nga ato që ka parë dhe se ky krim nuk ka qenë një incident por një vrasje e egër.
“28-vjeçarja është goditur të paktën 7 herë në kokë me shufrën e hekurit. Nga këto goditje vihet re tension, urrejtje. Duket se viktima ka ngritur duart për të mbrojtur fytyrën, vazhdonte ta qëllonte dhe në duar. Pastaj ky prind pastroi shtëpinë nga gjakrat, fshehu sendet personale dhe e varrosi në kopsht. Si mundet një prind të jetë kaq gjakftohtë para një akti të tillë? Kjo vrasje më ka lënë pa fjalë, nuk ishte thjesht një incident, ishte shumë e egër, shumë brutale”, ka thënë mjekja ligjore për median greke.
Ndërkaq, avokati i vrasësit, Vasilis Nulezas duke mbrojtur klientin e tij, tha se babai shqiptar po e vuan shumë këtë ngjarje dhe se vrasja ka ndodhur në tension e sipër pasi vajza e kishte përjashtuar nga jeta e saj. Mes të tjerash avokati tha se 52-vjeçari kishte një dashuri patologjike për vajzën.
“Media përshkruan gabim tiparet e vrasësit. Vajza i kërkonte që mos të ndërhynte shumë në jetën e saj. Viktima ishte larguar nga nëntori 2017 nga shtëpia, për të jetuar e pavarur, pa e informuar për jetën që bënte. Këtë nuk e duronte dot klienti im, besoj se është çështje e psikologjisë së tij, nuk kishte ushtruar dhunë më parë, e donte vajzën e e tij. Është i dërrmuar psikologjikisht dhe nuk besoj se do ja dalë mbanë me procesin gjyqësor. Nuk ishte vrasje me paramendim, ndodhi në tension e sipër, pas një debati të ashpër”, pohoi avokati.