Mediat greke kanë zbardhur dëshminë dhënë në polici të të dashurit të Anxhelina Petros në Korfuz. Ai ka treguar bisedën e fundit që ka bërë me 29-vjeçaren shqiptare, e cila u dhunua për vdekje nga babai i saj Aleko Petro.
Sikurse ka deklaruar në polici, çifti ka qëndruar së bashku për rreth 13 muaj. Anxhelina donte të shkonte të vizitonte babain e saj për shkak të festave. Ndërsa i dashuri i saj nuk ishte dakord që ajo të shkonte, pasi Anxhelina nuk kishte raporte të mira me të atin.
Në orën 20:45, i dashuri afgan kontaktoi 29-vjeçaren për t’u siguruar që kishte mbërritur tek banesa e babait të saj. Kjo ishte telefonata e parë që mesa duket revoltoi Aleko Petron dhe nxiti debatin mes tyre, pasi 51-vjeçari ishte kundër lidhjes së vajzës së tij me emigrantin afgan.
Në orën 21:23, i dashuri telefonoi përsëri Anxhelinën. Biseda mes tyre zgjati 26 sekonda. E pyeti si po kalonte, kurse 29-vjeçarja shqiptare i tha se ndodhej në shtëpinë e babait dhe nga zhurmat në sfond kuptoi që Anxhelina po ngjiste disa shkallë. Më pas vajza shqiptare i kërkoi të dashurit që të mbyllte telefonin pasi po i bërtiste babai i saj, Aleko. Vajza u dëgjua duke i thënë të atit: “Është e ndaluar që t’i flas edhe në telefon”? Më pas, linja u mbyll.
I dashuri afgan i tha gjithashtu policisë se me Anxhelinën kishin rënë dakord që pasi të largohej nga banesa e të atit, të takoheshin në një pikë të caktuar, por nuk mbërriti kurrë në atë destinacion. Debati mes Alekos dhe vajzës së tij Anxhelina ishte ndezur. Ai kishte qëlluar vazhdimisht me shufër hekuri vajzën e tij. Kjo e fundit tentoi të largohej duke dalë nga një derë, por 51-vjeçari e ndoqi dhe e goditi të paktën 7 herë në kokë me shufrën e hekurit, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas, trupin e saj e varrosi në oborrin e pasmë të shtëpisë së tij.