Milot Rashica shënoi një gol të veçantë në stërvitjen e Verderit, që i kujtoi të gjithëve mënyrën sesi realizon Zllatan Ibrahimoviçi. Njëzetedyvjeçari po luan prej një gjysmë sezoni në Bundesligë, duke lënë përshtypje të mira, ndonëse konkurrenca tek Verderi është e fortë, dhe ai nuk ka mundur të luajë në çdo ndeshje.
Kjo nuk e ka penguar për të shënuar dy gola në ligën gjermane, dhe që të cilësohet si një futbollist i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen. Futbollisti i lindur në Vushtrri bindi në Holandë, ku luajti për tre sezone me Viteshen, duke shënuar gola e duke shërbyer asiste.
Lojtari ofensiv, po ashtu, është një nga më të rëndësishmit në ekipin përfaqësues të Kosovës, duke ndihmuar në kualifikimin nga grupi në Ligën e Kombeve.
Pritet që Rashica të përshtatet edhe më mirë me futbollin në Bundesligë, dhe po ashtu të kontribuojë për Kosovën në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, në nivelin D, si dhe në plej ofin e Europianit 2020.